Instituti i Studimeve Politike (ISP) ka publikuar një deklaratë ku vlerëson se, dhjetë vite pas hyrjes në fuqi të Ligjit nr. 138/2015, Shqipëria ndodhet në një moment kritik sa i përket respektimit të standardeve të integritetit dhe etikës publike.
Sipas ISP-së, ligji synon të garantojë besimin e qytetarëve në funksionimin e organeve shtetërore dhe të sigurojë mbrojtjen e rendit demokratik përmes pranisë në poste publike të zyrtarëve me integritet të lartë. Në këtë kuadër, partitë politike dhe institucionet publike kanë miratuar ndër vite Kode Etike dhe nisma për dekriminalizim dhe luftë kundër korrupsionit.
Megjithatë, ISP konstaton se realiteti aktual është në kontrast me këto deklarata. “Institucionet kryesore – përfshirë Kuvendin, Qeverinë, Bashkitë dhe partitë politike – po shmangin ose refuzojnë mënjanimin nga postet drejtuese të individëve të dënuar apo nën hetim zyrtar,” thuhet në deklaratë.
Sipas Institutit, raste të tilla po dëmtojnë besimin publik dhe po dërgojnë një “mesazh negativ ndaj standardeve të llogaridhënies, etikës dhe shtetit të së drejtës”.
ISP thekson se standardi i duhur është ai i ndjekur nga Parlamenti Europian dhe Bashkimi Europian, ku zyrtarët e përfshirë në skandale, si në rastin “Qatargate 2022”, janë pezulluar menjëherë nga funksionet dhe grupet politike i kanë përjashtuar nga radhët e tyre.
“Shtetet që synojnë anëtarësimin në BE, si Shqipëria, duhet të zbatojnë të njëjtin standard,” nënvizon ISP.
Instituti mbështet gjithashtu standardet etike të Partive Europiane (PES/EPP), sipas të cilave zyrtarët e dënuar nuk mund të mbajnë poste drejtuese dhe partitë nuk duhet të mbrojnë publikisht individë të akuzuar për korrupsion apo abuzim me pushtetin.
Në deklaratë thuhet se rënia e besimit publik ndaj partive politike, e cila ka arritur nivele historike negative, lidhet drejtpërdrejt me mungesën e këtij qëndrimi të përgjegjshëm.
Në përfundim, ISP bën të ditur se do të vazhdojë monitorimin e standardeve të integritetit dhe dekriminalizimit, dhe se në javët në vijim do të paraqesë rekomandime konkrete për reformimin e legjislacionit mbi partitë politike.



