Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka ndaluar dy efektivë të Policisë së Shtetit në vijim të hetimeve për ngjarjen e rëndë të ndodhur një ditë më parë pranë rrethrrotullimit të aeroportit “Nënë Tereza”, ku mbeti i vrarë Gilmando Dani dhe u plagos agjenti i AMP-së, Muç Shaljani (Sheqeri).
Dyshohet se punonjësit e policisë kanë falsifikuar dokumente për rekrutimin e Shaljanit në AMP, duke fshehur të dhëna që përbënin shkak për përjashtim nga strukturat e sigurisë.
Sipas njoftimit zyrtar, janë ndaluar Nënkomisari B.C., me detyrë Specialist për Hetimin e Krimeve, dhe Inspektori A.Z., me detyrë Ndihmës/Specialist i Policimit në Komunitet pranë Komisariatit Nr. 3 në Tiranë.
Ata akuzohen për veprat penale “Falsifikim i vulave, stampave ose formularëve” dhe “Shpërdorim detyre”.
“Këta punonjës policie, në bashkëpunim, kanë përpiluar Vërtetimin e Besueshmërisë për shtetasin M.Sh., pa pasqyruar në të të dhëna që përbëjnë cënim të kushteve të sigurisë. Ky veprim ka mundësuar punësimin e tij pranë Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore”, thuhet në njoftimin e AMP-së.
Nga verifikimet paraprake, AMP ka konstatuar shkelje të rënda procedurale gjatë procesit të rekrutimit të Shaljanit në shtator 2025. Materialet janë dërguar tashmë në Prokurorinë e Tiranës, që do të përcaktojë grupin hetimor dhe përgjegjësitë ligjore të personave të përfshirë.
Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht procedurat e ndjekura dhe për të identifikuar çdo person tjetër të përfshirë në këtë rast.



