Ish-kryeministri Sali Berisha nuk është paraqitur sot në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), ku ishte thirrur për të dhënë dëshmi në cilësinë e personit që ka dijeni për “krimin shtetëror” të 21 janarit 2011, protestë gjatë së cilës u vranë katër qytetarë nga Garda e Republikës, ndërsa ai ishte në krye të qeverisë.
SPAK kishte njoftuar se Berisha duhej të ishte para prokurorit Alfred Shehu në orën 10:00 të paradites së sotme, por ish-kryeministri zgjodhi të mos shfaqej, duke injoruar edhe këtë thirrje, siç bëri më herët me të parën.
Fletëthirrja e parë u refuzua, e dyta u dërgua në tre adresa
Fletëthirrja e parë e firmosur nga SPAK më 3 nëntor u kthye mbrapsht “pa u hapur”, duke e detyruar institucionin të lëshonte një tjetër më 7 nëntor. Kësaj radhe, SPAK e çoi njoftimin në të gjitha adresat zyrtare të Berishës:
Në banesën private në rrugën “Mustafa Matohiti”, në Kuvend dhe në selinë e Partisë Demokratike.
Megjithatë, ish-kryeministri sërish nuk u paraqit, duke mos respektuar kërkesën ligjore të organit të akuzës.
Kjo thirrje do të shënonte përballjen e parë të Berishës me Prokurorinë e Posaçme për një dosje që prej 14 vitesh konsiderohet një nga ngjarjet më të rënda politike dhe shtetërore në vend.
Berisha: Shkoj vetëm kur të më vijë thirrja siç duhet
Një ditë më parë, Berisha deklaroi publikisht se nuk do të shkonte në SPAK pa marrë personalisht thirrjen “në dorë” dhe në mënyrë të rregullt. Ai akuzoi prokurorët se po përdorin ngjarjen e 21 janarit për të “krijuar tymnajë” ndaj skandaleve të qeverisë.
“Jam përgjigjur gjithë jetën time çdo thirrjeje të drejtësisë dhe do të përgjigjem edhe tani. Ka vetëm një kusht: të më vijë thirrja.
Përdorimi i kësaj çështjeje është akt i shëmtuar i Altin Troplinit, mercenar i regjimit. Mendon se mund të mbulojë krimet e tyre me zhurmë.”
Berisha shtoi se do të paraqitet “pa asnjë hezitim” vetëm kur thirrja të dorëzohet “siç ka ardhur dhjetëra herë të tjera më parë”, duke refuzuar të komentojë mungesën e tij të sotme.
SPAK e kishte thirrur si person me dijeni, në vijim të marrjes në pyetje të Lulzim Bashës.
Thirrja për Berishën vjen disa ditë pasi Prokuroria e Posaçme mori në pyetje për rreth një orë ish-ministrin e Brendshëm të kohës, Lulzim Bashën, i cili u pyet më 30 tetor 2025 për rolin e gardës, zinxhirin e komandimit dhe marrëdhënien midis ministrisë dhe Kryeministrisë atë ditë tragjike.
Në dalje nga SPAK, Basha nuk zbuloi detaje, duke deklaruar se respekton sekretin hetimor.
Hetimet për 21 janarin janë intensifikuar kohët e fundit, për shkak të kërkesës për të identifikuar përgjegjësit e zinxhirit komandues për vrasjet e protestuesve të paarmatosur në bulevard.
Çfarë pritet të ndodhë tani?
Mospërgjigjja e Berishës përballë dy fletëthirrjeve zyrtare mund ta vendosë Prokurorinë e Posaçme përpara disa opsioneve ligjore si te dergoje thirrjen e tretë, detyrim për paraqitje, procedim penal për mosbindje ndaj organit të drejtësisë ose marrja e një vendimi nga gjykata për masa të tjera, nëse konsiderohet e nevojshme për ecurinë e hetimit.
Zyrtarisht, SPAK nuk ka bërë ende koment publik për mosparaqitjen e sotme të ish-kryeministrit.



