Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar sot pas fletëthirrjes së SPAK, e datës 7 nëntor 2025, për t’u marrë në pyetje lidhur me ngjarjet e 21 Janarit 2011, ku katër protestues humbën jetën në bulevard.
Berisha ka mohuar të ketë marrë ndonjë njoftim zyrtar dhe e ka cilësuar thirrjen si pjesë të një manipulimi politik për të mbuluar “superskandalet” e qeverisë aktuale, duke përmendur konkretisht Lubi Ballukun dhe kryeministrin Edi Rama.
Sipas Berishës, fletëthirrja nuk ka arritur as në shtëpinë e tij, as në selinë e Partisë Demokratike dhe as në Kuvend, pavarësisht se ishte dërguar në tre adresa të ndryshme. Ai theksoi se nuk ka pasur asnjë mundësi që të përgjigjej ndaj një dokumenti që nuk i është dorëzuar në mënyrë të rregullt.
“Unë i përgjigjem çdo thirrjeje të gjykatës apo prokurorisë, qofshin ato speciale ose jo, nuk ka asnjë lloj lëkundje nga unë. Por kjo fletëthirrje nuk ka arritur kurrë tek unë. Nuk ka ardhur as në shtëpi, as në seli, as në parlament. E vetmja qëllim i kësaj ishte të krijohej propagandë dhe të mbuloheshin superskandalet e qeverisë,” deklaroi Berisha.
Ish-kryeministri akuzoi gjithashtu ata që sipas tij po keqpërdorin mediat për të ndikuar opinionin publik, duke i quajtur “individë të inkriminuar dhe mashtrues” të lidhur me pushtetin dhe krimin. Ai bëri një krahasim me periudhën e Sigurimeve të Shtetit, duke thënë se manipulimi i informacionit ndaj tij tani i kujton periudha të errëta të shtetit.
Berisha rikujtoi rolin e tij në kërkimin e hetimit për ngjarjet e 21 Janarit dhe theksoi se ka qenë ndër të parët që ka kërkuar një hetim të plotë, për të zbardhur përgjegjësit kryesorë. “Nga viti 2013 kanë kaluar 12 vite dhe ai hetim nuk u bë, sepse nxjerr përgjegjësin kryesor të protestës më të dhunshme në historinë e vendit, direkt Edi Ramën. Një falsifikim dhe mashtrim publik, për të cilin unë nuk kam pasur asnjë autoritet për ta zbardhur atëherë,” tha ai.
Ai shtoi se është marrëveshje ndërkombëtare që hetimi të jetë i plotë dhe se deri më tani është penguar nga zyrtarët e pushtetit që kanë shërbyer si pengesë ndaj drejtësisë. Berisha theksoi gjithashtu se është gati të bashkëpunojë plotësisht me SPAK sapo thirrja t’i dorëzohet në mënyrë të rregullt.
Ndërkohë, burime nga Kuvendi thanë se kërkesa për Berishën është dërguar tek grupi parlamentar i Partisë Demokratike, por nuk është pranuar të merret dhe është kthyer tek SPAK. Kjo praktikë, sipas burimeve, është standarde kur deputetët nuk mund të kontaktohen direkt dhe kur kërkesat për hetim kalojnë përmes grupeve parlamentare përkatëse.
Berisha tha se ky proces nuk është për të penguar hetimin, por për të krijuar një imazh të deformuar për opinionin publik dhe për të mbuluar dështimet dhe skandalet e qeverisë. Ai paralajmëroi se nuk do të lejojë që hetimi i tij të përdoret për qëllime propagandistike dhe se do të përmbushë çdo detyrim ligjor sapo dokumenti t’i dorëzohet në mënyrë të rregullt.
Ky reagim i Berishës vjen disa ditë pas marrjes në pyetje nga SPAK e ish-kryetarit të PD-së, Lulzim Basha, lidhur me të njëjtën ngjarje, duke e shtuar tensionin politik rreth hetimeve për ngjarjet e 21 Janarit dhe përgjegjësitë e ish-zyrtarëve të lartë.
Berisha u ikën hetimeve të 21 Janarit / Cili do të jetë hapi i radhës i SPAK-ut?
Kuvendi njofton SPAK/ PD nuk pranoi fletëthirrjen për Berishën



