Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, ka reaguar pas mosparaqitjes së Sali Berishës sot në SPAK, duke deklaruar se selia blu nuk ka marrë asnjë fletë-thirrje të adresuar personalisht për liderin e opozitës.
I ftuar në edicionin informativ të drekës në News24 me Ola Brukon, Noka theksoi se zarfi i ardhur në PD ishte adresuar “për Partinë Demokratike” dhe për këtë arsye nuk mund të hapej nga askush. Sipas tij, Berisha do të paraqitet vetëm kur fletë-thirrja të mbërrijë me emrin e tij të shkruar qartë.
Gjatë intervistës, Noka akuzoi SPAK-un se po përdor rastin për të krijuar bujë mediatike dhe për të eklipsuar, sipas tij, skandalet qeveritare. Ai përmendi çështjen e tunelit të Llogarasë, ku përfshihet zv/kryeministrja Belinda Balluku, dhe rastin e familjes Hysa të sanksionuar nga SHBA si pjesë e kartelit “Sinaloa”.
“PD dhe kreu i saj Sali Berisha nuk i shmanget llogaridhënies. Kjo është një lojë e SPAK për të bërë bujë dhe për të mbuluar skandalet e Ballukut dhe Ramës,” – u shpreh Noka.
Ai këmbënguli se në PD nuk ka ardhur asnjë dokument me emrin Sali Berisha, duke shtuar se as fletë-thirrje të tjera nuk hapen kur nuk mbajnë emrin e personit të caktuar.
Noka deklaroi se Sali Berisha dhe PD kanë qenë të parët e interesuar për zbardhjen e 21 Janarit. Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka nxitur protestën e dhunshme, ndërsa viktimat i quajti “të Ramës”.
Sipas tij, Garda e Republikës ka vepruar në bazë të ligjit dhe nuk ka patur asnjë urdhër politik për të qëlluar:
“Kush do ta jepte atë urdhër? Nëse do të kishte urdhër, gardisti që u bë kryetar bashkie e më pas deputet do ta kishte thënë.”
“Katër viktimat janë të Edi Ramës. Ai i çoi për të shkelur institucionin.”



