Policia e Tiranës ka njoftuar qytetarët për bllokime rrugësh që do të ndodhin sot për shkak të protestës së Partisë Demokratike, e cila është paralajmëruar të zhvillohet nga ora 18:00 deri në orën 20:00, para Kryeministrisë.
Sipas njoftimit të policisë, nga ora 14:00 do të ndalohet parkimi i automjeteve në disa akse të kryeqytetit, përfshirë:
Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”
Sheshin “Nënë Tereza”
Rrugën “Ismail Qemali” (nga kryqëzimi me rrugën “Ibrahim Rugova”)
Rrugën “Papa Gjon Pali II”
Bulevardin “Zhan D’Ark”
Bulevardin “Bajram Curri”
Nga ora 15:00 deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokime të lëvizjes në:
Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” (nga Ministria e Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”)
Rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”
Policia thekson se, në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të ketë kufizime edhe në akse të tjera rrugore. Për të ndihmuar qarkullimin e automjeteve, janë parashikuar rrugë alternative.
Policia apelon tek qytetarët që të shmangin lëvizjen me automjete në rrugët e bllokuara dhe të përdorin akse alternative për të mos penguar mbarëvajtjen e tubimit dhe lëvizjen e lirë të pjesëmarrësve.



