back to top
13.5 C
Tirana
E mërkurë, 19 Nëntor, 2025
spot_img
KreuAktualitetEkonomiaTregu online nën monitorim të rreptë/ Bizneset detyrohen të publikojnë të dhënat...

Tregu online nën monitorim të rreptë/ Bizneset detyrohen të publikojnë të dhënat e aktivitetit

Ministri i Financave, Petrit Malaj, gjatë raportimit në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, njoftoi masat e reja që qeveria po ndërmerr për të formalizuar tregtinë online dhe për të reduktuar përdorimin e parasë fizike në ekonomi.

Sipas ministrit, tregtia online është rritur me shpejtësi vitet e fundit, por një pjesë e konsiderueshme e saj vijon të funksionojë në mënyrë informale, pa NIPT, pa deklarim të të ardhurave dhe pa asnjë transparencë për konsumatorin.

Formalizimi i tregtisë online 

Malaj bëri të ditur se Ministria e Financave ka hartuar një projektligj të ri, i cili detyron të gjitha bizneset që operojnë online të publikojnë të dhënat bazë të aktivitetit:

Emrin tregtar

NIPT-in

Adresën e aktivitetit

Informacione të tjera identifikuese

Nëse subjektet nuk i respektojnë këto detyrime, AKEP do të ketë kompetencë të pezullojë aktivitetin e tyre, çka përbën një standard të ri transparence në tregun digjital.

“Është hera e parë që vendosim publikimin e detyrueshëm të të dhënave të bizneseve online. Konsumatori duhet të dijë se nga kush po blen. Tregu online nuk mund të funksionojë më jashtë rregullave të lojës”, deklaroi ministri.

Reduktimi i parasë fizike 

Në të njëjtën linjë me formalizimin, Malaj njoftoi edhe masa të reja për kufizimin e përdorimit të parasë në dorë:

Pagesat mes bizneseve do të lejohen deri në 100 mijë lekë, nga 150 mijë që ishte më parë.

Çdo shumë mbi këtë limit do të kryhet vetëm përmes bankave.

Shitjet me cash për konsumatorët do të mbeten të lejuara deri në 500 mijë lekë.

Operatorët e turizmit dhe transportit duhet të pajisen me pajisje elektronike pagesash deri më 30 maj të vitit të ardhshëm.

Sipas Malajt, qëllimi është ulja e ekonomisë informale dhe rritja e sigurisë së transaksioneve.

“Për të gjitha transaksionet mbi kufijtë e lejuar, pagesat do të kalojnë vetëm nëpërmjet sistemit bankar. Kjo rrit transparencën dhe ndihmon luftën kundër informalitetit”, u shpreh ministri.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat