Deputeti i Partisë Demokratike, Asllan Dogjani, dhe biznesmeni Ilirjan Çela janë paraqitur në Prokurorininë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) lidhur me hetimet mbi një apartament që i është shitur Dogjanit në vitin 2006.
Sipas biznesmenit Çela, Dogjani ka paguar për apartamentin me sipërfaqe 128.4 metra katrorë plus garazh vlerën totale prej 133,980 eurosh. Nga ana tjetër, deputeti Dogjani mohon pagesën e shumës dhe pretendon se apartamenti i është dhënë si shpërblim për shërbime juridike dhe konsulencë që ai i ka ofruar Çelës, pavarësisht se në atë kohë nuk kishte licencë për ushtrimin e profesionit të avokatit.
Në dalje të SPAK, Ilirjan Çela deklaroi se Dogjani, së bashku me noteren, kishte krijuar një kontratë të dytë që ai e konsideron fallco, në të cilën thuhej se apartamenti ishte dhuruar. Çela theksoi se kontrata origjinale e vitit 2006 është e dokumentuar dhe pagesa për apartamentin është regjistruar në bankë përmes administratorit të tij. Ai akuzoi Dogjanin për përpjekje për të fshehur pagesën dhe për manipulim të kontratave.
Biznesmeni shtoi se Dogjani nuk kishte licencë për të ofruar shërbime juridike në vitin 2006 dhe se pretendimet e tij për mospagesë janë të pabaza. Ai gjithashtu denoncoi një kontratë të mbrapshme dhe kallëzime të papërshtatshme në prokurori, të cilat sipas tij, kanë nxitur hetimet e SPAK.
Hetimet e SPAK janë fokusuar në verifikimin e kontratave, të dhënave të regjistruara në bankë dhe pretendimeve të palëve për pagesën ose mospagesën e apartamentit.



