Seanca plenare e kësaj të mërkure në Kuvend u tensionua pas një përplasjeje të fortë verbale mes deputetit të Partisë Demokratike, Klevis Balliu, dhe zv.kryeministres Belinda Balluku.
Gjatë diskutimeve për projektbuxhetin, Balliu akuzoi qeverinë dhe posaçërisht Ballukun për korrupsion dhe keqmenaxhim të fondeve publike. Ai përmendi “vjedhjet në Aeroportin e Vlorës, vjedhjet në tunelin e Llogarasë” dhe akuzoi ministrat e kabinetit se “nuk reagojnë sepse janë bashkëpunëtorë në krim.”
“Ju nuk iu intereson për qytetarët. Që kur ky buxhet i jepet një ministrie me vjedhjet më të mëdha? Ju keni rritur kostot e jetesës,” deklaroi Balliu nga foltorja.
Në replikën e saj, zv.kryeministrja Balluku iu përgjigj me tone të ashpra, duke e akuzuar Balliun për hipokrizi dhe duke ndërlidhur familjarë të tij me skandale të dikurshme.
“Kur flitet për vjedhje, Klevis Balliun duhet ta dëgjoni me vëmendje, sepse është i ‘masterizuar’. Është rritur në një familje ku vjedhja ka qenë pjesë e edukatës familjare. Rasti unik kur tezja e tij, sekretare e përgjithshme e Ministrisë së Kulturës, ishte edhe administratore e kompanisë ‘Alpin Bau’. Po të ishte SPAK-u në kohën e tezes tënde, do të ishte ende në burg sot,” tha Balluku.
Deklarata shkaktoi reagime të menjëhershme nga Balliu, i cili kërkoi fjalën për procedurë. Pas një radhe përplasjesh dhe ndërprerjesh, zv.kryeparlamentarja njoftoi se Balliut i hiqej e drejta e fjalës.
Situata solli edhe ndërhyrjen e Gardës së Republikës, e cila u afrua pranë vendit të deputetit demokrat për të shmangur përshkallëzimin e konfliktit.
Atmosfera në sallë mbeti e tensionuar edhe pas ndërprerjes, ndërsa seanca vazhdoi mes akuzave politike dhe ndërhyrjeve procedurale.



