Kryetari i Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, ka nisur sot një formë të pazakontë proteste para Kryeministrisë, i ulur në një karrige dhe pa asnjë simbol ose logo partie. Ai deklaroi se po vepron si qytetar dhe aktivist, i zhgënjyer nga mungesa e reagimit shoqëror ndaj situatës politike dhe ekonomike në vend.
“Mendova të bëhem një shkëndijë. Një shkrepëse e vogël që mund të ndezë një lëvizje që Shqipëria e ka shumë nevojë,” tha Lapaj në një lidhje me Dita Jonë në A2 CNN, duke shtuar se problemet aktuale nuk mund të zgjidhen nga asnjë parti e vetme.
Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama se po ushtron presion ndaj institucioneve të drejtësisë, veçanërisht ndaj Gjykatës Kushtetuese, dhe se mbrojtja e zëvendëskryeministres Belinda Balluku është tregues i frikës së Ramës nga hetimet që mund të avancojnë.
“Po dal për pavarësinë e gjyqësorit. Ky është moment historik. O vendoset drejtësia, o ky shtet shkon drejt shkatërrimit,” u shpreh Lapaj.
Ai theksoi se do të qëndrojë në protestë aq sa ta mbajnë forcat dhe shpreson që qytetarë të shumtë t’i bashkohen thirrjes së tij:
“Do qëndroj derisa misioni të përmbushet. Uroj që qindra e mijëra qytetarë t’i bashkohen kësaj thirrjeje. Nëse ndodh shpejt, aq më mirë të kthehem te vajza ime,” përfundoi ai.
Protesta e Lapajt është një nga format më të pazakonta të shprehjes civile në Tiranë vitet e fundit dhe synon të tërheqë vëmendjen për çështjet e pavarësisë së gjyqësorit dhe funksionimin e drejtësisë në vend.



