Etleva Skonja
Jordan Daci, avokat dhe profesor i së drejtës kushtetuese dhe ndërkombëtare, i njohur për përvojën e tij ligjore dhe akademike, është kandidat për një post anëtari në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë. Kandidatura e tij ka tërhequr vëmendjen e opinionit publik jo vetëm për eksperiencën e tij të gjatë ligjore, por edhe për lidhjen e tij të mëparshme me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Daci ka qenë më parë avokati i Veliajt, i cili aktualisht ndodhet nën akuzë nga SPAK. Ai ka njoftuar disa ditë më parë se nuk do të përfaqësonte Veliajt në seancën e Gjykatës Kushtetuese, e cila tashmë është mbajtur, duke argumentuar një konflikt interesi për shkak të angazhimeve të tij dhe të studios ligjore në raste të tjera ende në proces. Në një postim në rrjetet sociale, Daci sqaroi se ky vendim u mor pas një vlerësimi të kujdesshëm ligjor dhe etik, duke respektuar standardet e profesionit dhe Kodin e Etikës për avokatët.
Por duket se tërheqja e tij nga Veliaj, ka ardhur për shkak se ka synuar kandidimin për t’u bërë pjesë e trupës kushtetuese.
Përveç aktivitetit të tij në praktikën ligjore, Daci ka një karrierë të pasur akademike. Ai ka kontribuar në reforma ligjore, raporte për sistemin e drejtësisë dhe çështje ndërkombëtare, veçanërisht në fushën e së drejtës kushtetuese dhe të të drejtave të njeriut. Kandidatura e tij për Gjykatën Kushtetuese e vendos atë në garë për një prej institucioneve më të rëndësishme të drejtësisë në vend, ku përzgjedhja përfundimtare do të kalojë përmes vlerësimeve profesionale dhe etike nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED) dhe më pas propozohet te Presidenti për emërim.



