back to top
15.5 C
Tirana
E mërkurë, 24 Dhjetor, 2025
spot_img
KreuDrejtësiaBosi i Vettingut me pasuri që nuk iu hetua kurrë/ Kandidati për...

Bosi i Vettingut me pasuri që nuk iu hetua kurrë/ Kandidati për Kushtetuesen i akuzuar për falsifikim

Etleva Skonja

Lulzim Hamitaj, ish‑anëtar i Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK), trupë kyçe e asaj që quhet “vetting” ka paraqitur zyrtarisht kandidaturën për një vend në Gjykatën Kushtetuese.

Por emri i tij vjen jo thjesht me përvojë ligjore, por edhe me një “bagazh” të rëndë akuzash që e bëjnë kandidaturën e tij problematike.

Akuzat për falsifikim

Në vitin 2018, partia opozitare Partia Demokratike denoncoi Hamitajin se kishte falsifikuar certifikatën e njohjes së gjuhës angleze, një dokument që ai e paraqiti kur kandidonte për anëtar të KPK, me pretendimin se zotëronte nivel “C1”.

Sipas PD‑së, dokumentet tregojnë se kur është lëshuar certifikata (6 prill 2015), Hamitaj rezulton të ketë qenë jashtë Shqipërisë, diçka që sipas saj hedh dyshime serioze mbi autenticitetin e dokumentit.

Pas denoncimit, Prokuroria e Tiranës nisi verifikimet për të, Hamitaj u thirr në prokurori, por deri tani nuk ka pasur transparencë për rezultate publike të hetimit.

Pasuria e Hamitajt

Komisioneri i Vetingut është pronar i një apartamenti me vlerë 120 mijë euro, si edhe të një garsoniere, me vlerë 33 mijë euro, të cilat ndodhen në kryeqytetin italian, Romë.

Po ashtu, Komisioneri Hamitaj rezulton gjithashtu pronar i dy apartamenteve në Tiranë. Njëri, me vlerë 67 mijë euro, është blerë prej tij në vitin 2010, si edhe një tjetër apartament në Farkë, me vlerë 34 mijë euro.

Krahas apartamenteve, komisioneri Lulzim Hamitaj rezulton që ka blerë edhe një tokë në zonën e preferuar të Tiranës, në Mullet, me vlerë totale 40 mijë euro.

Krahas pasurive të paluajtshme, Hamitaj rezulton edhe një i apasionuar pas mjeteve motorike. Në bazë të të dhënave pasurore komisioneri është pronar i një motori tip BMW, vlera e të cilit është 23 500 euro.

Komisioneri Hamitaj, në bazë të shpenzimeve të kryera, duket se ka pasur aktivitet të zgjeruar avokator në Itali. Megjithatë, nuk ka asnjë të dhënë nëse ndonjë prej institucioneve shqiptare ka kryer verifikimin e pasurisë së tij dhe burimet e ligjshme të krijimit të saj.

Problemet serioze të kandidaturës për Kushtetuese

Kandidimi i Hamitajt për në Kushtetuese ndeshet tani me dy dilema thelbësore.

Kredibiliteti dhe besueshmëria, pasi një anëtar i gjyqësorit kushtetues duhet të jetë jo vetëm i kualifikuar, por edhe pa njollë morale, akuzat për falsifikim e vënë në pikëpyetje këtë element.

Legjitimiteti i emërimit, pasi, nëse kandidatura shtyhet përpara, emërimi i një personi që ka qenë nën hetim për falsifikim mund të dëmtojë besimin e publikut tek institucioni më i lartë kushtetues në vend.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat