back to top
11.5 C
Tirana
E premte, 16 Janar, 2026
spot_img
KreuAktualitetEkonomiaDyshime për skandal fiskal/ Zhduket projekti “Durana Tech Park”

Dyshime për skandal fiskal/ Zhduket projekti “Durana Tech Park”

Nuk ka më asnjë gjurmë të projektit “Durana Tech Park” në faqen zyrtare të Korporatës së Investimeve Shqiptare. Çdo informacion mbi këtë projekt është fshirë pa asnjë njoftim apo shpjegim publik, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi transparencën institucionale.

Nga verifikimet e kryera paraditen e sotme rezulton se faqja zyrtare nuk ofron më asnjë të dhënë mbi “Durana Tech Park”, ndonëse informacionet për projektin vijojnë të shfaqen në motorët e kërkimit si Google. Ky fakt shton dyshimet se mund të bëhet fjalë për një fshirje të qëllimshme të të dhënave.

Projekti “Durana” ishte shpallur më herët si zonë e lirë teknologjike, me status të posaçëm ligjor dhe fiskal, që u mundësonte kompanive të regjistruara të përfitonin përjashtime të gjera nga taksat dhe kontributet, edhe në raste kur aktiviteti real nuk zhvillohej fizikisht në këtë zonë.

Pak ditë më parë, në një intervistë në Syri TV, ish-zv/kryeministri Arben Ahmetaj publikoi detaje të reja, duke deklaruar se qeveria jo vetëm ka dhënë tendera sekretë për kompani të lidhura me Ermal Beqirin dhe Ergys Agasin, por njëkohësisht ka krijuar edhe skema për shmangien e taksave, përmes regjistrimit të këtyre bizneseve në qendrën “Durana” në Xhafzotaj.

Sipas Ahmetajt, bëhet fjalë për 46 kompani të teknologjisë së informacionit, të cilat, ndonëse të regjistruara në këtë zonë të cilësuar si “parajsë fiskale”, në realitet kanë zyrat e tyre në zemër të Bllokut në Tiranë.

Deri më tani, nuk ka asnjë reagim zyrtar nga Korporata e Investimeve Shqiptare apo nga drejtuesja e saj, Elira Kokona, lidhur me arsyet e zhdukjes së informacionit mbi projektin “Durana Tech Park”.

Zhdukja e projektit nga faqja zyrtare, pa asnjë shpjegim, ka rihapur debatet mbi dyshimet për një skandal financiar dhe fiskal, ndërsa mungesa e transparencës shton kërkesat për sqarime publike dhe hetim institucional./Skyweb

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat