Avokati i Sali Berishës, Genci Gjokutaj, foli për mediat pas përfundimit të seancës së sotme në Gjykatën e Posaçme (GJKKO) për dosjen “Partizani”, ku kryetari i Partisë Demokratike po gjykohet nën akuzën e korrupsionit.
Gjokutaj bëri me dije se seanca e radhës do të zhvillohet më 26 janar në orën 10:00.
Avokati theksoi se mbrojtja ka kërkuar sërish thirrjen e kryeministrit Edi Rama si dëshmitar, duke argumentuar se ai ka bërë thirrje publike për procedimin urgjent të Berishës.
Sipas Gjokutajt, Rama është një dëshmitar kyç në këtë proces, pasi ka ndikuar drejtpërdrejt në ndryshimin e destinacionit të pronës që lidhet me çështjen “Partizani”.
“GJKKO, nëse do të japë një vendim të bazuar në ligj, përveç Ramës duhet të thërrasë edhe oficerë të policisë gjyqësore, përfshirë zotin Karanxha, i cili ka qenë aktivist i PS dhe sot është pjesë e BKH. Kjo çështje ka profil politik”, deklaroi Gjokutaj.
Avokati shtoi se mbrojtja ka kërkuar edhe administrimin e akteve dhe videove, ku sipas tij, Rama, si kryetar bashkie dhe si kryetar i PS, ka bërë thirrje publike për procedimin penal të Berishës.
Po ashtu, avokatët kërkuan që të administrohet si provë edhe DVD-ja me fjalimin e kryeministrit Edi Rama në Asamblenë e PS në prill të vitit 2022, ku ai ka folur për hetimin e ish-presidentëve dhe ish-kryeministrave të shpallur “non grata”.



