Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë ka reaguar lidhur me projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 96/2016 ‘Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë’”, pjesë e paketës së ndryshimeve të ligjeve të reformës në drejtësi, e dërguar nga Kuvendi për konsultim.
Përmes një njoftimi për mediat, shoqata shpreh shqetësimin e saj për nenin 12 të projektligjit, i cili parashikon shtimin e nenit 170/3 në ligjin nr. 96/2016. Sipas këtij propozimi, kryetarët në detyrë të gjykatave të shkallës së parë dhe të apelit, si në juridiksionin e përgjithshëm ashtu edhe në atë administrativ, do të konfirmoheshin automatikisht si kryetarë të emëruar deri më 31 dhjetor 2028, pa iu nënshtruar procesit të konkurrimit.
Shoqata vlerëson se një dispozitë e tillë cenon kompetencat kushtetuese të Këshillit të Lartë Gjyqësor. Sipas saj, Kushtetuta i njeh KLGJ-së të drejtën ekskluzive për emërimin dhe ngritjen në detyrë të gjyqtarëve, përfshirë edhe pozicionin e kryetarit të gjykatës, i cili konsiderohet ngritje në detyrë.
Në reagim theksohet gjithashtu se projektligji zbatohet vetëm për gjykatat e juridiksionit të përgjithshëm dhe administrativ, duke përjashtuar gjykatat e posaçme, çka sipas shoqatës krijon një trajtim të pabarabartë dhe të pajustifikuar.
Shoqata e Gjyqtarëve nënvizon se KLGJ-ja ka miratuar tashmë aktin normativ për procedurën e zgjedhjes së kryetarëve të gjykatave të shkallës së parë dhe të apelit, i cili ka hyrë në fuqi më 1 janar 2026 dhe pritet të sjellë hapjen e garave për këto poste drejtuese. Sipas saj, për një periudhë gati gjashtëvjeçare, këto gjykata janë drejtuar nga zëvendëskryetarë me funksione të përkohshme, duke e bërë të panevojshme ndërhyrjen e Kuvendit në këtë proces.
Në përfundim, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve thekson se miratimi i këtij projektligji do të cenonte parimet kushtetuese të ndarjes së pushteteve dhe pavarësisë së pushtetit gjyqësor.



