back to top
11.5 C
Tirana
E premte, 16 Janar, 2026
spot_img
KreuAktualitetEkonomiaDyfishoi faturat e ujit dhe kontrolloi tenderat në Durrës/ Kush fshihet pas...

Dyfishoi faturat e ujit dhe kontrolloi tenderat në Durrës/ Kush fshihet pas Kreatx?

Ish-kryeministri Sali Berisha ka hedhur akuza të forta ndaj kompanisë Kreatx, të cilën e cilësoi si “bërthamën operacionale të monopolit të ri teknologjik në Shqipëri”, duke pretenduar se pas saj fshihet Ermal Beqiri, i njohur edhe si Armand Frangu.

Sipas Berishës, Kreatx nuk është thjesht një kompani softuerësh, por një strukturë kyçe që kontrollon tendera publikë përmes lidhjeve politike dhe organizative. Ai deklaroi se Ermal Beqiri është njëkohësisht drejtues i shoqatës ACTI, e cila sipas tij shërben për të krijuar monopol në projektet teknologjike shtetërore.

Berisha pretendoi se pronësia e Kreatx është maskuar përmes një zinxhiri kompanish dhe ortakësh, ndërsa kontrolli real, sipas tij, ushtrohet nga Armand Frangu dhe persona të lidhur me institucionet shtetërore. Ai përmendi edhe kompaninë Hardtech dhe pronarin e saj, Enea Buza, duke ngritur dyshime për lidhje të mëparshme me kompani të afërta me Beqirin.

Sipas Berishës, pavarësisht se Ermal Beqiri rezulton në kërkim nga drejtësia, ai dyshohet se vijon të përfitojë fonde publike përmes kompanive dhe personave të tretë. Në këtë kontekst, Berisha foli për një “skemë pastrimi parash”, duke iu referuar transferimeve të kuotave të kapitalit të shoqërive, që sipas tij nuk justifikohen ekonomikisht.

Në një tjetër akuzë, Berisha u ndal te tenderi i Ujësjellës-Kanalizimeve të Durrësit, ku sipas tij, Kreatx ka fituar kontratën si operator i vetëm, pas skualifikimit sistematik të konkurrencës. Ai deklaroi se kompania ka marrë pothuajse 100 për qind të fondit limit dhe se ankesat e operatorëve të tjerë janë rrëzuar nga autoritetet përkatëse.

Berisha pretendoi gjithashtu se Kreatx ka instaluar një aplikacion financiar që ka sjellë dublikim faturash dhe dyfishim të çmimit të ujit për qytetarët e Durrësit, përmes ndërhyrjeve të paautorizuara në serverët e ujësjellësit. Sipas tij, këto veprime kanë ndikuar edhe në manipulimin e bilanceve financiare.

Ai shtoi se pak para shpërthimit të dosjes së AKSHI-t, Kreatx është tërhequr nga UKD dhe është zëvendësuar nga një kompani tjetër, ndërsa gjurmët e aktivitetit të saj, sipas Berishës, kanë mbetur në sistemet e administratës.

Në përfundim, Berisha deklaroi se borxhi real i Ujësjellësit të Durrësit mund të jetë shumë më i lartë se ai i raportuar zyrtarisht, duke e lidhur këtë me ndërhyrjet dhe aktivitetin e kompanisë Kreatx.

Deri në këto momente, nuk ka pasur një reagim zyrtar nga kompania Kreatx apo nga personat e përmendur në lidhje me këto akuza.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat