Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar sot ndaj hetimit të SPAK lidhur me financimin e Kuvendit Kombëtar të 11 dhjetorit 2021, duke e cilësuar atë si një sulm politik.
Në një deklaratë për mediat, Berisha tha se hetimi i pasurisë së tij është kryer “me lupë” dhe është përfunduar dhe dërguar në gjykatë, ndërsa akuzoi prokurorët e SPAK për manipulim dhe mashtrim publik.
“Hetimi pasuror i Berishës është finalizuar dhe nuk ka asnjë lidhje me këtë hetim politik për Kuvendin e Rithemelimit, për të cilin nuk kam asnjë vërejtje. Ata që po e bëjnë këtë hetim janë primitivë dhe po mashtrojnë publikisht,” deklaroi Berisha.
Ai shtoi se çdo financim i Kuvendit ka qenë i deklaruar dhe nuk ka asgjë të fshehur. “Është deklaruar çdo gjë, çdo financim i çdo personi. Personat që e kanë financuar kanë deklaruar gjithçka sapo janë pyetur,” tha Berisha, duke theksuar se nuk ka njohuri mbi shifrat totale të kostos së ngjarjes.
Kujtojmë se gjatë kësaj jave SPAK ka marrë në pyetje deputetin Belind Këlliçi dhe sekretarin për Diasporën të PD, Indrit Hoxha, në lidhje me hetimin për Kuvendin e Rithemelimit.



