Nga Arben Llangozi
Mbrëmjen e djeshme, mediat raportuan gjerësisht për një operacion të zhvilluar nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH), në bashkëpunim me autoritetet italiane të antimafias, në një nga kullat më luksoze të kryeqytetit, “Green Tower Forever”.
Sipas burimeve mediatike, operacioni është rezultat i një hetimi disa mujor të programit investigativ italian “Le Iene”, i fokusuar në dokumentimin e një rrjeti të mirëorganizuar mashtrimesh përmes call center-ave. Raportohet se rreth 15 persona të infiltruar nga ky program investigativ kanë ndjekur nga afër aktivitetin e këtij rrjeti për afro tre muaj, duke arritur të zbërthejnë të gjithë skemën, përpara se materialet t’u referoheshin autoriteteve italiane të antimafias.
Pas verifikimeve dhe hetimeve të thelluara, autoritetet italiane kanë koordinuar dhe drejtuar veprimet hetimore në territorin shqiptar, në bashkëpunim me SPAK-un, nën drejtimin e prokurorit Vladimir Mara.
Rëndësia e këtij aksioni lidhet edhe me faktin se subjekti i vendosur nën kontroll rezulton të ketë si aksionere shtetasen Alba Balla, motra e kreut të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, së bashku me dy persona të tjerë. Ky element i ka dhënë operacionit një vëmendje të shtuar publike dhe mediatike.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në ambientet e kompanisë, burime pranë hetimit bëjnë me dije se janë sekuestruar shuma të konsiderueshme parash cash, që flitet se arrijnë në miliona euro, si edhe dhjetëra kuleta kriptomonedhash, të cilat dyshohet se lidhen me aktivitetin kriminal të hetuar.
Operacioni është ndjekur nga afër edhe nga drejtuesi i Byrosë Kombëtare të Hetimit, Joni Keta, i cili, sipas burimeve, ka qenë i pranishëm në terren gjatë zhvillimit të veprimeve hetimore.
Ndërkohë, paralelisht me zhvillimet hetimore, në rrjetet sociale janë rikthyer në vëmendje edhe disa postime të mëparshme të Alba Ballës, veçanërisht gjatë festave të fundvitit, ku ajo shfaqej e rrethuar nga dhurata të shumta luksoze. Sipas vlerësimeve publike, vlera e këtyre dhuratave kap shuma prej qindra mijëra eurosh, ndërsa në të njëjtat publikime evidentohet një stil jete i nivelit të lartë dhe konsum luksi.
Sipas legjislacionit shqiptar në fuqi, dhuratat që tejkalojnë një vlerë të caktuar monetare përbëjnë detyrim ligjor për deklarim, si në kuadër të ligjit për deklarimin e pasurive, ashtu edhe në atë për parandalimin e pastrimit të parave. Autoritetet kompetente kanë të drejtën të verifikojnë jo vetëm vlerën reale të këtyre dhuratave, por edhe burimin financiar të tyre, për të përcaktuar nëse ai është i ligjshëm dhe i justifikuar ekonomikisht.
Ekspozimi publik i pasurisë dhe i stilit të jetesës nuk përputhet me të ardhurat e deklaruara, lindin dyshime për burime të pajustifikuara financiare, të cilat mund të shërbejnë si indicie për hetime të mëtejshme penale. Në këtë kontekst, edhe dhuratat luksoze, pavarësisht se paraqiten si përfitime personale, trajtohen ligjërisht si pasuri që i nënshtrohet kontrollit dhe verifikimit nga institucionet përkatëse.
Burime pranë hetimit bëjnë me dije se edhe këto publikime në rrjetet sociale mund të konsiderohen si elementë shtesë në analizën e përgjithshme të pasurisë dhe stilit të jetesës, ndërsa mbetet në kompetencë të organeve hetimore të përcaktojnë nëse ekziston ose jo shkelje e ligjit. Hetimet vijojnë dhe autoritetet nuk kanë dhënë ende një qëndrim zyrtar përfundimtar mbi përgjegjësitë penale të personave të përfshirë.