Kryeministri Edi Rama rikujtoi këtë të mërkurë ngjarjet e 21 Janarit, duke mbajtur një fjalim kritik mbi funksionimin e drejtësisë në Shqipëri dhe vonesat në hetimin e tragjedisë së ndodhur 15 vite më parë.
Rama theksoi se edhe sot sistemi i drejtësisë vazhdon të përballet me probleme serioze, duke përmendur numrin e lartë të të paraburgosurve pa gjyq dhe shkeljet e të drejtave të njeriut në burgjet shqiptare. Sipas tij, kjo situatë përbën një panoramë të trishtueshme të një drejtësie të dhunuar, ndërsa 21 Janari mbetet simbol i drejtësisë së vonuar.
“Sot, burgjet e Shqipërisë mbajnë me taksat e qytetarëve më shumë të paraburgosur të plasur nëpër qeli pa gjyq. Edhe një pjesë e të paraburgosurve janë viktima të shkeljeve të të drejtave të njeriut. Është një panoramë e trishtueshme e një drejtësie të dhunuar dhe 21 Janari tregon drejtësinë e vonuar,” u shpreh Rama.
Kryeministri kritikoi faktin se përgjegjësit kryesorë të tragjedisë janë thirrur për t’u pyetur vetëm pas gati 15 vitesh, duke e cilësuar 21 Janarin si një krim shtetëror që dëshmon se drejtësia mund të vonojë, por nuk harron.
Ai u ndal edhe te Reforma në Drejtësi, duke theksuar se 21 Janari ka qenë një nga shtysat kryesore për ndërmarrjen e saj, por shprehu zhgënjim që, sipas tij, edhe strukturat e reja të drejtësisë nuk kanë ngritur akuza për këtë çështje, pavarësisht kalimit të viteve.
“Fatkeqësisht, për 15 vite me radhë edhe vetë SPAK-u bëri sikur kjo çështje nuk ekziston,” deklaroi Rama, duke shtuar se prokuroria speciale ka treguar shpejtësi në disa raste të tjera, ndërsa për çështjen e 21 Janarit ka munguar veprimi konkret.
Në përfundim, Kryeministri theksoi se 21 Janari mbetet kryeçështje për drejtësinë shqiptare dhe një provë e rëndësishme për funksionimin real të reformës në drejtësi.



