Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur dërgimin në gjyq të çështjes penale nr.1/2024, ku akuzohen Rexhë Byberi dhe Abedin Kërrnaja për kryerjen e veprës penale të shpërdorimit të detyrës, kryer në bashkëpunim, sipas nenit 248 dhe 25 të Kodit Penal.
Vendimi u mor më 2 shkurt 2026 nga gjyqtarja Irena Gjoka, pas seancës paraprake ku u shqyrtuan pretendimet e palëve dhe u bazuan mbi nenet 112, 332/dh, pika 1, gërma “a”, 332/ë dhe 332/gj, pika 1 të Kodit të Procedurës Penale.
Gjykata vendosi, pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për dërgimin në gjyq të çështjes si dhe dërgimin e çështjes pranë Gjykatës së Posaçme me tjetër trup gjykues për shqyrtim.
Fashikulli i gjykimit do të përmbajë të gjitha aktet e hetimit paraprak, të ndara në 6 volume hetimore, përveç deklarimeve të shtetasve që janë thirrur si persona që kanë dijeni për rrethanat e ngjarjes.
Sipas njoftimit zyrtar, kundër këtij vendimi nuk lejohet ankim, duke vulosur kështu procedurën për nisjen e gjykimit të të pandehurve.



