Ish-kryeministri dhe ish-presidenti, Sali Berisha, ka sulmuar ashpër kryeministrin Edi Rama, lidhur me dorëheqjet e pretenduara të ministres Belinda Balluku. Berisha e ka cilësuar sjelljen e Ramës si një “mashtrim të turpshëm” dhe “cinizëm ekstrem”, duke deklaruar se kryeministri ka përdorur dorëheqjet për alibira dhe manipulime.
“Rama zbuloi veten kur tha se ka refuzuar tre herë dorëheqjen e Ballukut! Nuk e lejoi se ajo do e marrë me vete. Dje ai doli dhe u betua dhe u stërbetua për kokën e Lubisë. E patë ju sa të mallëngjyer ishin. Njëra ishte gati të ngashërehej, tjetri të betohej për kokën e saj. Ky është një mashtrim i turpshëm,” tha Berisha.
Sipas tij, e vërteta është se Balluku ka kundërshtuar prerazi dhënien e dorëheqjes, dhe Rama e ka përdorur këtë situatë për të krijuar alibira politike. Berisha e cilësoi këtë si një rast ku kryeministri gënjen publikisht dhe manipulon informacionin për të mbrojtur veten dhe bashkëpunëtorët e tij.
Gjithashtu, Berisha komentoi edhe deklaratat e Ramës lidhur me Gjermaninë dhe Danimarkën, duke theksuar se nuk ka vend tjetër në botë ku një ministër mund të vjedhë dhe të mbrohet nga ligji. “As në Gjermani, as në Danimarkë dhe as në ndonjë vend tjetër, ministri nuk ka të drejtë të vjedhë dhe nuk mund të mbrohet me ligj nga vjedhjet. Turp i madh,” shtoi ai.
Berisha e përfundoi deklaratën duke theksuar se këto veprime tregojnë qartë mashtrimet dhe mungesën e përgjegjësisë së qeverisë Rama, duke paralajmëruar se manipulimet e tilla kanë pasoja të rënda për politikën dhe institucionet në vend.



