Kreu i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ami Kozheli, deklaroi këtë të hënë se segmenti rrugor Librazhd–Prenjas vijon të mbetet problematik dhe do të qëndrojë i mbyllur për shkak të rrëshqitjeve aktive në zonë.
Në një prononcim për mediat, Kozheli bëri të ditur se situata është më e rëndë nga sa ishte parashikuar fillimisht, pasi rrëshqitja e dheut rezulton aktive dhe jo brenda kufijve të pritshëm teknikë.
Sipas tij, masat paraprake për krijimin e një bajpasi dhe unaze sekondare nuk kanë rezultuar efektive, duke bërë që aksi të mos hapet për qarkullim.
Ai theksoi gjithashtu se po shqyrtohen mundësi për një rrugë alternative për banorët e zonës. Një nga opsionet është përdorimi i një rruge ekzistuese që aktualisht shfrytëzohet nga automjetet, ndërsa një tjetër është krijimi i një rruge sekondare të re, propozim i ngritur edhe gjatë takimit me banorët.
Ndërkohë, sipas ARRSH-së, monitorimet në zonën e banesave nuk kanë evidentuar një plan rrëshqitjeje që rrezikon drejtpërdrejt shtëpitë, por situata vijon të mbahet nën vëzhgim të vazhdueshëm.



