Pas transmetimit të një materiali investigativ mbi rastin e dhunës dhe shkeljes së rëndë profesionale nga një mësuese, Drejtoria Rajonale e Arsimit Parauniversitar Tiranë ka ndërmarrë veprime të menjëhershme. Me vendim të datës 25 shkurt 2026, janë ndërprerë marrëdhëniet e punës me mësuesen e përfshirë në incident.
Grupi i punës i ngritur nga DRAP Tiranë ka realizuar takime me drejtues të shkollës, psikologë dhe prindër të nxënësve të klasës së katërt në Shkolla 9-vjeçare 100-vjetori i Pavarësisë, ndërsa procesi i mbledhjes dhe verifikimit të të dhënave vazhdon. Në përfundim do të hartohet një raport i detajuar për përgjegjësitë e të gjitha hallkave institucionale.
Rasti u bë publik nga emisioni investigativ Stop, ku disa prindër denoncuan dhunën sistematike ndaj fëmijëve. Pamjet e siguruara me kamera të fshehtë tregojnë mësuesen Mine Hasani duke përdorur dhunë fizike dhe gjuhë fyese ndaj nxënësve, duke i thënë shprehje si:
“Ta plas kokën”, “ta mbys fare”, “idiote”, “kafshë”, “zero jeni”.
Sipas Urdhrit nr.31, datë 28.01.2020, për trajtimin e sjelljeve të dhunshme të mësuesve ndaj nxënësve, janë njoftuar Policia e Shtetit për ndjekjen e procedurave ligjore dhe Njësia e Mbrojtjes së Fëmijëve, për të vlerësuar çdo situatë rreziku për fëmijët.
Grupi i punës dhe institucionet përgjegjëse synojnë të garantojnë transparencë të plotë dhe reagim të menjëhershëm ndaj çdo situate që lidhet me sigurinë, mirëqenien dhe të drejtat e fëmijëve në shkolla.



