Kryetari i Partise Demokratike, Sali Berisha, ka kërkuar angazhim të shtuar për anëtarësime të reja në parti, në një moment kur brenda strukturave janë shfaqur pakënaqësi dhe janë regjistruar edhe përjashtime.
Në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PD-së, Berisha u ka lënë porosi deputetëve dhe drejtuesve që të fokusohen te zgjerimi i bazës anëtarësore, duke e cilësuar këtë proces si thelbësor për forcimin dhe rifreskimin e partisë.
Sipas tij, zgjedhjet në degët e vendit kanë vijuar normalisht, ndërsa prioriteti kryesor mbetet rritja e numrit të anëtarëve të rinj. Berisha theksoi se ky proces duhet trajtuar me seriozitet maksimal nga të gjithë drejtuesit.
Ai nënvizoi se çdo deputet duhet të kontribuojë në mënyrë aktive në këtë drejtim, duke e konsideruar anëtarësimin si një tregues të angazhimit të secilit dhe një element të rëndësishëm për funksionimin e partisë.
Thirrja për anëtarësime të reja vjen paralelisht me zhvillime të brendshme në PD, përfshirë edhe raste përjashtimesh nga strukturat dhe kërkesa për sqarime nga disa anëtarë lidhur me vendimet e marra.



