Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një bashkëbisedim me pensionistët e Njësisë nr. 2, ku ka folur për politikat sociale të qeverisë, reformën e pensioneve dhe rritjen e të ardhurave për këtë kategori në vitet e ardhshme.
Gjatë takimit, Rama deklaroi se nga janari i vitit të ardhshëm pensionet do të rriten dhe se kjo rritje do të vijojë çdo vit, duke theksuar se objektivi afatmesëm është një rritje e ndjeshme e tyre deri në vitin 2030.
Sipas tij, deri më tani rritja e pensioneve ka qenë e kufizuar kryesisht në indeksim, gjë që ai e cilësoi si një mekanizëm që nuk përfaqëson rritje reale të të ardhurave.
“E vetmja gjë që kemi bërë për vite të tëra ka qenë indeksimi i pensioneve, por kjo nuk është rritje në kuptimin e plotë të fjalës,” u shpreh Rama, duke shtuar se përmirësimi i ekonomisë ka krijuar tashmë hapësira për rritje të mëtejshme.
Ai theksoi se zhvillimi ekonomik i vendit ka bërë të mundur që qeveria të planifikojë një skemë të re pensionale, e cila përfshin rritje të vazhdueshme, si dhe ndryshime në sistemin e kursimeve për qytetarët që duan të sigurojnë të ardhura shtesë në pleqëri.
Rama shtoi gjithashtu se do të ketë politika të reja edhe për pensionistët që vazhdojnë të punojnë, si dhe për personat me aftësi të kufizuara, të cilët sipas tij duhet të trajtohen në mënyrë më të barabartë në skemën sociale.
“Thelbi i këtyre që po them është ekonomia. Ndryshimi i ekonomisë sonë na jep mundësinë për këto politika. Lajmi i mirë është që i kemi këto mundësi dhe kemi kaluar në një nivel tjetër,” tha ai.
Kryeministri theksoi se prioritet i qeverisë mbeten pensionistët dhe familjet në nevojë, për të cilat po përgatitet një skemë e re mbështetëse, e bazuar në një kartë shpenzimesh për produktet bazë ushqimore.
Sipas tij, kjo kartë nuk do të përdoret për shpenzime jo esenciale, por vetëm për artikuj të shportës bazë, me qëllim mbështetjen e shtresave më të ndjeshme të shoqërisë.
Rama u shpreh se rritja e pensioneve dhe politikat e reja sociale janë pjesë e një faze të re të zhvillimit ekonomik të vendit, që sipas tij synon përmirësimin e standardit të jetesës për qytetarët.



