back to top
28.5 C
Tirana
E hënë, 25 Maj, 2026
spot_img
KreuAktualitetEkonomiaHapet skema kombëtare për fermerët/ 5.2 miliardë lekë subvencione për bujqësinë

Hapet skema kombëtare për fermerët/ 5.2 miliardë lekë subvencione për bujqësinë

Bujqit dhe blegtorët shqiptarë mund të aplikojnë duke nisur nga sot për përfitimin e masave mbështetëse në kuadër të Skemës Kombëtare për Bujqësinë dhe Blegtorinë, e cila për vitin 2026 ka një fond total prej 5.2 miliardë lekësh.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka prezantuar ndryshimet në skemën e këtij viti, ku për herë të parë përfshihet edhe subvencionimi i mbarështimit të derrave. Sipas masës së re, fermat me mbi pesë dosa do të përfitojnë mbështetje financiare prej 7 mijë lekësh për krerë.

Po ashtu, janë rritur në mënyrë të moderuar subvencionet për mbarështimin e lopëve dhe të imtave, si dhe fondet për bletarinë, kultivimin e bimëve aromatike e medicinale dhe fermat organike.

Një tjetër risi e skemës është lehtësimi i kritereve për përfitim. Kushtet për aplikim janë përgjysmuar në krahasim me vitet e mëparshme, me synimin për të zgjeruar numrin e fermerëve përfitues.

Megjithatë, një nga masat më të kërkuara nga fermerët nuk do të jetë pjesë e skemës së këtij viti. Ministria ka vendosur të heqë mbështetjen për naftën, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme të sektorit dhe rritjes së kostove të prodhimit.

Vendimi vjen në një periudhë kur fermerët po përgatiten për sezonin e punimeve bujqësore, ndërsa çmimet e karburanteve dhe të plehrave kimike kanë shënuar rritje të ndjeshme, duke rënduar kostot e aktivitetit në fshat.

Përveç skemës së subvencioneve, qeveria ka parashikuar edhe mbështetje për investimet në sektor. Fermerët e rinj do të mund të përfitojnë grante deri në 10 mijë euro, ndërsa për ndërtimin dhe përmirësimin e staneve në blegtori do të jepen deri në 3 milionë lekë.

Ndërkohë, për blerjen e makinerive bujqësore është parashikuar mbështetje deri në 500 mijë lekë, me qëllim modernizimin e fermave dhe rritjen e produktivitetit.

Skema kombëtare konsiderohet një nga instrumentet kryesore të mbështetjes së sektorit bujqësor, i cili vijon të përballet me sfida të shumta, nga rritja e kostove të prodhimit deri te mungesa e fuqisë punëtore dhe konkurrenca në treg.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat