Regjisori Petri Bozo është arrestuar nga policia pas aksidentit tragjik të ndodhur një ditë më parë në aksin rrugor “Elbasan–Librazhd”, ku humbi jetën një fëmijë 7-vjeçar.
Sipas informacioneve paraprake, pas aksidentit Bozo ka deklaruar para hetuesve se nuk ka qenë duke lëvizur me shpejtësi, ndërsa autoritetet dyshojnë se automjeti mund të ketë qenë me shpejtësi në momentin e përplasjes.
Ngjarja e rëndë ndodhi të hënën rreth orës 08:00 në fshatin Mengël. Automjeti që drejtohej nga regjisori përplasi 7-vjeçarin, i cili si pasojë e plagëve të marra humbi jetën.
Aksidenti ndodhi pranë shkollës 9-vjeçare “Sulejman Rranci”, e cila ndodhet buzë aksit nacional Elbasan–Librazhd. I mituri kishte shoqëruar motrën në shkollë së bashku me nënën e tyre, ndërsa vetë ndiqte mësimin pasdite në të njëjtin institucion arsimor.
Dinamika e plotë e ngjarjes mbetet ende e paqartë dhe policia nuk ka bërë publik një version zyrtar mbi rrethanat e aksidentit.
Sipas dëshmive të personave të pranishëm në vendngjarje, pasi kishin lënë vajzën në shkollë, nëna dhe djali po lëviznin drejt një dyqani pranë saj. Në ato momente, dyshohet se 7-vjeçari është shkëputur nga dora e së ëmës dhe është goditur nga automjeti që drejtohej nga Petri Bozo.
Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe përgjegjësitë e kësaj ngjarjeje tragjike.



