Mbledhja e Komisionit për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale u shoqërua me debate mes kryetarit të komisionit, Fatmir Xhafaj, dhe Avokatit të Popullit, Endrit Shabani, gjatë diskutimeve mbi nivelin e zbatimit të rekomandimeve të këtij institucioni.
Polemikat nisën pasi Avokati i Popullit ngriti shqetësimin për shkallën e ulët të zbatimit të rekomandimeve të institucionit që ai drejton, duke theksuar se vetëm 21% e tyre janë marrë në konsideratë nga institucionet përgjegjëse.
“Nëse ju jeni të kënaqur me këtë performancë, unë nuk jam”, u shpreh Shabani.
Nga ana e tij, Fatmir Xhafaj reagoi duke i kërkuar Avokatit të Popullit të ndryshojë mënyrën e komunikimit në komision.
“Me çfarë jemi të kënaqur ne dhe me çfarë jo… Duhet ta ndryshosh gjuhën, sepse po flet këtu sikur je kryetar partie dhe jo Avokat i Popullit”, deklaroi Xhafaj.
Shabani iu përgjigj se ishte i pranishëm në mbledhje për të përfaqësuar institucionin e Avokatit të Popullit dhe jo për të bërë deklarata politike.
“Ky koment nuk ju nderon. Unë nuk jam politikan”, tha ai, duke shtuar se diskutimi duhet të fokusohet te problematikat institucionale dhe jo te çështje personale apo të së shkuarës.
Debati vijoi me replika lidhur me përgjegjësitë institucionale dhe zbatimin e rekomandimeve të Avokatit të Popullit.



