Elisabeta Dosku
Viti 2025 synohet të jetë viti i mirë sa i takon ngushtimit të hendekut midis të ardhurave dhe shpenzimeve si dhe borxhit publik të qeverisë.
Deficiti buxhetor për vitin 2025 planifikohet të jetë në nivelin 2.6 për qind të PBB-së dhe parashikohet të ulet më tej duke arritur në 1.4 përqind të PBB në vitin 2027.
Gjithashtu edhe borxhi publik bruto parashikohet të vijojë trajektoren rënëse në përputhje me rregullin respektiv fiskal. Në vitin 2024 parashikohet që borxhi publik bruto të bjerë në rreth 56.3 për qind të PBB-së dhe pritet të vijojë të bjerë më tej në rreth 55.8 për qind në vitin 2025. Sipas skenarit bazë, borxhi publik bruto pritet të bjerë në rreth 55.0 për qind në vitin 2026 dhe më tej në rreth 48.5 për qind në vitin 2031.
Por si janë aktualisht këto dy tregues në raport me vendet e rajonit? Sa i takon borxhit publik, për Shqipërinë ky vit pritet të mbyllet në 56.3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, në një nivel konsiderueshëm më të lartë se vendet e rajonit, përjashtuar Malin e zi, shtet i cili parashikon një borxh publik në 61.7%./Scan
Ndërsa Serbia dhe Maqedonia ka nivele më të ulëta respektivisht në 51.4% dhe 54.6 për qind të PBB. Ndër 5 vendet e rajonit nivelin më të ulët të borxhit publik e parashikon Bosnje-Hercegovina në 29.3% të PBB.
Ndërsa balanca e përgjithshme e qeverisë (Deficiti fiskal në % të PB) për vitin 2024 parashikohet të mbyllet në -2.3% të PBB, duke lënë pas vende si Maqedonia dhe Mali i Z të cilat e parashikojnë në -3.7%, dhe Kosova në -2.9 %, por më e lartë se Bosnje-Hercegovina dhe Serbia. Mesatarja e rajonit për këtë tregues është afro -2.8%.