Në një intervistë për podkastin “Të Pashoq” me gazetaren Edjona Dervishi, kryetari i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, theksoi se nuk ka asnjë pishman për vendimin e tij ndaj Berishës, duke theksuar se e ka marrë për një interes të madh publik dhe politik.
Basha gjithashtu tha se vendimet që mori më 9 shtator erdhën pas një periudhe të gjatë bisedimesh me Sali Berishën për të ruajtur interesat e PD-së, por pa gjetur një zgjidhje. Ai gjithashtu tha se është gjithmonë etik, mirënjohës dhe luajal, por nuk ka pranuar kurrë të vendosë interesat personale mbi interesin publik.
Pjesë nga intervista:
Si mund të bëhem pishman për një vendim të cilin e kam marrë me sakrificë të madhe për një interes të madh publik dhe politik. Sigurisht pishman duhet të bëhen ata të cilët kanë vendosur interesin e tyre personal, mbi interesin publik, mbi interesin e demokratëve dhe duke bërë këtë kanë vendosur edhe mbi interesin e Shqipërisë. Çka po shohim edhe pasojat sot gjithë ditën të një qeverisje të korruptuar deri në palcë, të kryeministrit më të papërgjegjëshëm që njeh Shqipëria që nga 1912-ta, që është produkt sigurisht i papërgjegjshmërisë 12 vjeçare dhe i lidhjeve me krimin të Edi Ramës dhe Partisë Socialiste. Por është edhe nënprodukt i papërgjegjshmërisë dhe egoizmit të individëve të caktuar në opozitë.
Pyetje: Kishit menduar ndonjë gjë nga shumëçka ndodhi më pas që e prodhoi pikërisht vendimmarrja juaj? Në kuptimin gjithçka ndodhi pas kësaj, me grupimin që krijoi Sali Berisha me zhvillimet në Partinë Demokratike që e çuan këtë të fundit gropë? Pra, ndonjë pasojë e kishit menduar ju?
Lulzim Basha: Padiskutim që po. Ky vendim nuk ka ardhur nga sot nesër, siç është tashmë publikisht e njihur. Unë kam qenë në një proces bisedash të gjata me zotin Berisha, që ka zgjatur pothuajse tre muaj, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje e cila nuk do të dëmtonte Partinë Demokratike në një moment tejet delikat. Kam pasur momente që kam qenë i bindur që po i afroheshim një vendimmarrjeje që do të pranonte vendosjen e interesave personale nën interesat e mëdha politike të PD-së dhe të Shqipërisë. Por për fat të keq një moment i till nuk u arrit derisa unë u detyrova të marr vendime që mora në 9 shtator.
Pyetje: Ju thatë që vendosët në emër dhe për të mirën e Partisë Demokratike. Po nëse unë do ju pyesja në rang personal, moral, human, ku virtyti kryesor i qenies tonë dihet që është mirënjohja. A u tregua mosmirënjohës Lulzim Basha ndaj Sali Berishës, njeriut që bëri gjithçka për të po e them shkurt?
Lulzim Basha: Sali Berisha nuk ka gjetur dhe 10 jetë po të ketë person më etik, mirënjohës dhe luajal se Lulzim Basha në raportin profesional, politik dhe personal. Ajo që nuk kam pranuar dhe nuk pranoj kurrë për askënd, është të shkel mbi ato bindje pa të cilat nuk do të isha kurrë ky që jam. Dhe bindja e parë që gjykoj se më karakterizon në jetën politike, është që të mos vendos kurrë, asnjëherë interesin publik, interesin e shqiptarëve, posht interesit personal të kushdo qoftë.