Komisioni Europian ka publikuar Progres-Raportin 2025 për Shqipërinë, duke vlerësuar se vendi ka shënuar hapa pozitivë në disa fusha, por ka marrë vlerësime kritike në sektorin e sigurisë ushqimore, një ndër kapitujt më problematikë të procesit të integrimit.
Siguria ushqimore, progres i pamjaftueshëm
Në kapitullin 12, Siguria Ushqimore, KE evidenton se Shqipëria nuk ka bërë progres të mjaftueshëm, duke theksuar mangësi serioze në:
Regjistrin kombëtar të kafshëve, i cili mbetet i paplotë dhe me mungesa të theksuara në informacion.
Monitorimin e sëmundjeve të gjësë së gjallë, që përbëjnë rrezik për shëndetin e kafshëve dhe të njerëzve.
“Ka ende punë të mëdha për të përmirësuar regjistrin e kafshëve me informacion shtesë për kafshët e tjera, siç kërkohet nga BE”, thekson raporti.
KE nënvizon se Shqipëria ka vijuar monitorimin për brucelozën dhe tuberkulozin, por ka bërë hapa pas në luftën kundër tërbimit, pasi nuk është vazhduar fushata e vaksinimit.
“Duhet ndjekur qasja rajonale për kontrollin dhe eliminimin e rabisë”, thekson raporti.
Raste kontaminimi dhe laboratorë të pamjaftueshëm
Raporti përmend edhe rastin e muajit nëntor, kur AKU bllokoi mbi 500 ton misër serb të dyshuar për kontaminim me aflatoksinë, por thekson se masat e ndërmarra janë të pamjaftueshme për standardet e BE-së.
Komisioni kërkon më shumë analiza në produktet bujqësore, ngritjen e një rrjeti të ri laboratorësh pranë pikave kufitare dhe burime të dedikuara për kontrolle sipas standardeve europiane.
IPARD – BE nuk hap fondet: Shqipëria nuk ka ndërtuar besueshmërinë
Në kapitullin 11, Bujqësia dhe Zhvillimi Rural, BE i rikujton Shqipërisë se ende nuk ka fituar besimin për zbatimin e IPARD III, program që mbetet i pezulluar pasi fondet e mëparshme janë abuzuar.
Komisioni thekson se fondet u keqpërdorën, duke përfunduar te individë të lidhur me botën e krimit në vend që t’u shkonin fermerëve, arsye pse programi është pezulluar për tre vite.
Shqipëria duhet të rrisë kapacitetet administrative, mbikqyrjen, garancitë për mosabuzim në mënyrë që të rifitojë besimin për çeljen e fondeve IPARD.



