Deputeti socialist Erion Braçe ka reaguar me tone të ashpra në Kuvend ndaj ministrit të Bujqësisë, duke ngritur një sërë shqetësimesh që, sipas tij, po rëndojnë çdo ditë mbi fermerët shqiptarë.
Në fjalën e tij, Braçe u ndal fillimisht te heqja e skemës së naftës falas për bujqësinë, duke e cilësuar këtë vendim të papërshtatshëm për kohën kur është ndërmarrë, në një moment kur çmimet e karburanteve janë të larta dhe të paqëndrueshme.
“Unë e kam thënë që duhet të ndryshojë skema e naftës, por jo në një moment krize, kur çmimet janë sipër dhe nuk e dimë sesi do të shkojë, sepse kjo rrit drejtpërdrejt koston për fermerët,” u shpreh Braçe.
Ai kritikoi gjithashtu mënyrën se si janë konceptuar skemat mbështetëse në bujqësi, duke theksuar se duhet të favorizohet prodhimi dhe jo vetëm numri i krerëve të bagëtive.
“Pse nuk favorizoni prodhimin, por favorizoni kokë lope, dele dhe dhi? Jepuni lekë për litër qumështi dhe vendosni standarde për cilësinë. Jepuni lekë për kilogram prodhimi, çfarëdo prodhimi të jetë,” deklaroi deputeti socialist.
Një tjetër shqetësim i ngritur prej tij ishte rritja e çmimeve të plehrave kimike, të cilën e cilësoi si abuzive dhe të pajustifikuar nga tregtarët. Sipas Braçes, argumenti se çmimet janë rritur për shkak të bursës ndërkombëtare nuk qëndron, duke iu referuar të dhënave që ai pretendon se ka marrë nga Doganat.
“Është një abuzim shumë i madh. Nga 28 shkurti deri më 31 mars kanë hyrë vetëm tre mijë tonë plehra kimikë, pjesa tjetër ka ardhur më parë. Si u dyfishuan çmimet sapo nisën tensionet në Lindjen e Mesme?” u shpreh ai.
Braçe kërkoi ndërhyrje të menjëhershme nga autoritetet për të verifikuar situatën në terren dhe për të ndalur, sipas tij, abuzimet në treg.
“Po mirë, merret dikush me këtë dhe ta verifikojë? Thonë ‘po shes me çmimin e bursës’. Të kujt burse? Kur mallin e kanë sjellë më herët? Vejini fre abuzimit, ndryshe fermerët nuk do marrin frymë,” theksoi ai.
Deklaratat e deputetit vijnë në një kohë kur sektori i bujqësisë po përballet me kosto të rritura të prodhimit dhe pasiguri në treg, ndërsa fermerët kërkojnë më shumë mbështetje dhe politika më të qëndrueshme nga qeveria.



