Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas deklaratave të ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili e akuzoi për presion mbi Gjykatën Kushtetuese lidhur me çështjen e ministres Belinda Balluku. Përmes një video-mesazhi të publikuar në rrjetet sociale, Rama theksoi se nuk ka bërë presion ndaj gjykatës dhe se ka ankimuar vendimin e GJKKO-së si kryeministër, duke shpjeguar se qëllimi i tij ishte mbrojtja e parimeve kushtetuese dhe balancës mes pushteteve.
“Presion gjykatës? Kryeministri nuk duhet të flas për një proces gjyqësor. Unë jam palë dhe flas si palë, nuk i bëj presion askujt. E kam ankimuar vendimin jo për një individ, por për parimin e moscenimit të balancës mes pushteteve dhe për të mos lejuar ndërhyrjen e një prokurori apo gjykatësi në kompetencat e kryeministrit dhe presidentit,” tha Rama.
Ai shtoi se pezullimi i një ministri nga një prokuror ose gjyqtar nuk duhet të legjitimohet si e drejtë e drejtësisë, duke e cilësuar si precedent të rrezikshëm. Kryeministri iu përgjigj gjithashtu Berishës që e akuzoi për keqpërdorim të Komisionit të Venecias, duke deklaruar se nuk ka precedent në Europë për pezullimin e një ministri me vendim gjykate.
“Unë flas për publikun, për një proces që vendos jo për mua, por për balancën e pushteteve, për lirinë kushtetuese të kryeministrit për të vendosur për ekzekutivin dhe përbërjen e tij, dhe për të drejtën ekskluzive të parlamentit për të miratuar ose jo përbërjen e qeverisë,” përfundoi Rama.



