Gjykata Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit vendosi masën e sigurisë “arrest me burg” për Leonard Luzin, 47-vjeçarin që njihej ndryshe me nofkat “Daku” ose “Nard Çami”.
Luzi, i cili gjithashtu përdorte edhe mbiemrat Zejno dhe Sejno, u ekstradua një ditë më parë nga Spanja.
Ai u arrestua në Spanjë në kuadër të operacionit “Rekrutuesi”, pas bashkëpunimit mes autoriteteve të dy vendeve.
47-vjeçari ishte shpallur në kërkim nga SPAK, ndërsa dyshohet si organizatori i atentatit të mbetur në tentativë ndaj Inez Hajrullas i njohur me nofkën “Sakati” dhe Ervis Matodashajt, i njohur me nofkën “Qorri”.
Atentati i mbetur në tentativë u regjistrua në gushtit të vitit të kaluar.
Vendimi
Kërkuesi Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar
me datë 09.11.2024 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Marrjen në pyetje
dhe verifikimin e kushteve të zbatimit të masës së sigurimit personal, në zbatim të nenit
248 të K.Pr.Penale, ndaj të pandehurit Leonard Luzi”.
- Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe
Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Bib Ndreca, bazuar në nenet
248, 228, 229, 230, dhe 245 të K.Pr.Penale, me vendimin Nr. 136, datë 10.11.2024,
vendosi: - Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues
“Arrest në burg”, të parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, të caktuar ndaj të
pandehurit Leonard Luzi (alias Zejno, alias Sejno), me vendimin Nr. 11, datë
05.02.2024, nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe
Krimin e Organizuar. - Urdhërohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar
dhe Policia Gjyqësore, për ekzekutimin e këtij vendimi. - Kundër këtij vendimi lejohet e drejta e ankimit brenda 5 (pesë) ditëve, duke filluar
ky afat nga e nesërmja e njoftimit të këtij vendimi, në Gjykatën e Posaçme të
Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.