Gjykata e Lartë ka marrë vendimin këtë të enjte dhe ka rrëzuar rekursin e presidentit të Lirisë, Ilir Meta. Gjykata e Lartë nuk pranoi rekursin e Metës i cili kërkon lirimin nga qelia duke lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin.
“Mospranimin e rekursit të kërkuesit/të pandehurit Ilir Metaj, kundër vendimit nr. 183 (87-2025-284), datë 08.09.2025 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin”, thuhet në vendim.
Ilir Meta u arrestua më 21 tetor të vitit 2024. Meta dhe deputetja, Monika Kryemadhi dyshohen se në bashkëpunim dhe me funksionarë të tjerë shtetërorë kanë shfrytëzuar postet e tyre shtetërore e politike.
Sipas akuzave dyshohet se ata kanë favorizuar kompani private si dhe në veprimtari të tjera me lobime në SHBA dhe shitblerje banesash në këmbim të përfitimit të shumave të konsiderueshme parash, të cilat janë përpjekur t’i fshehin.
Meta akuzohet për veprat penale “korrupsion pasiv”, “pastrim parash” dhe “fshehje të pasurisë”. SPAK ka mbyllur hetimet më 28 korrik, ndërsa dosjen e kaloi për gjykim në fund të gushtit.



