Nga Edmond Hoxhaj
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, KED shqyrtoi të hënën më 21 korrik verifikimin e kushteve dhe kritereve ligjore të dy prej 13 kandidatëve për vendin e Holta Zaçajt në Gjykatën Kushtetuese, ish-anëtares së Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Genta Tafa Bungo dhe kryetarit të Komisionit të Autoritetit të Konkurrencës, Denar Biba.
Sipas njoftimit të publikuar në faqen online të Gjykatës së Lartë, KED, pasi shqyrtoi dhe diskutoi me aktet dhe procedurën e ndjekur për verifikimin e kandidaturave, vendosi të vijojë verifikimin për kushtet dhe kriteret ligjore të kandidimit të Bungos, si dhe të administrojë dosjen e procedurës së rivlerësimit kalimtar të bashkëshortes së Bibës, ish-këshilltares së Gjykatës së Lartë, Elona Kana.
Elona Kana u përball fillimisht me vetingun si këshilltare në Gjykatën e Lartë. Në seancën e parë dëgjimore më 2 tetor të vitit 2019, ajo kërkoi dorëheqjen e relatores Xhensila Pine me pretendimin se ajo ishte zgjedhur nga Partia demokratike dhe mund ta cënonte në proces për shkak të qëndrimit të mbajtur në KQZ nga bashkëshorti i saj, z.Denar Biba.
Pas seancës dëgjimore ajo paraqiti dorëheqjen në Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe në Shkollën e Magjistraturës. Bazuar në këto rrethana, Komisioni vendosi të ndërpresë procesin e vetingut për Kanën, si dhe vendosi sanksionin që i ndalon asaj emërimin në pozicione në sistemin e drejtësisë për një periudhë 15-vjeçare.
Kana ushtroi ankim në Kolegj duke e cilësuar vendimarrjen e Komisionit të paligjshme dhe të paarsyetuar. Ndalimin për emërimin në funksione në sistemin e drejtësisë për 15 vjet, ajo e cilësoi në cënim të parimit të proporcionalitetit në raport me specifikat e rastit, si dhe se cenonte të drejtën për punë dhe për një jetë të qetë private. Megjithatë, Kolegji e gjeti të drejtë vendimarrjen e KPK, duke e lënë në fuqi.
Gjykata e Lartë bëri publike më 13 janar listën e kandidatëve që paraqitën interes për vakancën e krijuar në Gjykatën Kushtetuese si rezultat i mbarimit të mandatit të kryetares së kësaj gjykate, Holta Zaçaj.
Nga 13 kandidatët që janë futur në garë, tre prej tyre, Genta Tafa, Alma Faskaj dhe Lulzim Hamitaj janë ish-komisionerë të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që kreu procesin e vetingut të magjistratëve. Këtij institucioni i përfundoi mandati në muajin dhjetor të vitit të kaluar. Interes paraqitën dhe dy ish-komisionerët Publikë, Florjan Ballhysa dhe Irena Nino.
Nga radhët e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë kandidojnë tre ish-anëtarët Naureda Llagami, Alban Toro dhe Nurihan (Seiti) Meta. Për vendin e Zaçajt shpallën interes gjithashtu dhe gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Asim Vokshi, kreu i Autoritetit të Konkurrencës, Denar Biba, si dhe juristët Klodian Rado, Rezana Balla dhe Sinan Tafaj.
Të gjithë kandidatët vijojnë të jenë në garë.
Në muajin dhjetor, kryetari i Gjykatë së Lartë, Sokol Sadushi bëri shpalljen publike për hapjen e procedurës së aplikimit për zgjedhjen me mandat të plotë nga Gjykata e Lartë të anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, për vendin e Holta Zaçajt.
Mandati i Zaçajt u bë temë debati publik dhe shkaktoi polemika mes saj dhe kryetarit të Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi. Ky i fundit këmbënguli se mandati i Zaçajt përfundonte në pranverë të vitit 2025 dhe hapi procedurat për përzgjedhjen e pasardhësit të saj duke shpallur vendin vakant.
Nga ana tjetër, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese pretendoi se mandati përfundonte në fund të vitit 2025 dhe e akuzoi Gjykatën e Lartë për cënimin e sigurisë juridike të mandateve të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
Megjithëse Gjykata Kushtetuese e gjeti me shkelje njoftimin e kryer nga Gjykata e Lartë, e la në fuqi shpalljen e vakancës. Shumica e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese vendosën mbarimin e mandatit të Zaçajt më 10 mars 2025.
KED nuk ka përfunduar ende verifikimet e plotësimit të kushteve ligjore të kandidatëve, për të kaluar më vonë në pikëzimin e tyre.



