Izraeli tha se më 4 nëntor ka njoftuar zyrtarisht Kombet e Bashkuara për vendimin që të shkëpusë lidhjet me UNRWA-n, agjencinë që mbështet refugjatët palestinezë.
Ky njoftim vjen pasi ligjvënësit izraelitë votuan për ta ndaluar këtë organizatë.
“Me udhëzimin e ministrit të Jashtëm Izrael Katz, Ministria e Punëve të Jashtme ka njoftuar OKB-në për anulimin e marrëveshjes mes shtetit të Izraelit dhe UNRWA-s”, tha Ministria e Jashtme izraelite përmes një deklarate.
“Organizata UNRWA, punëtorët e së cilës morën pjesë në masakrën e 7 tetorit dhe shumë nga punëtorët e së cilës janë operativë të Hamasit, është pjesë e problemit në Rripin e Gazës dhe jo pjesë e zgjidhjes”, citohet të ketë thënë Katz.
Hamasi është grup palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian. Lufta në Gazë nisi pasi ky grup më 7 tetor 2023 sulmoi Izraelin, duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer afër 250 të tjerë. Si pasojë e ofensivës izraelite, në Gazë janë vrarë më shumë se 43.000 palestinezë.
Muajin e kaluar, Parlamenti i Izraelit miratoi vendimin për mbylljen e operacioneve të UNRWA-s në Izrael dhe në Jerusalemin Lindor, pavarësisht dënimit nga komuniteti ndërkombëtar, përfshirë nga aleati Uashingtoni.
Nëse zbatohet ndalimi i agjencisë së OKB-së – e cila për më shumë se shtatë dekada ka ofruar ndihmën e nevojshme në mbarë territoret palestineze dhe për refugjatët palestinezë në vende të tjera – do të jetë një goditje për punën humanitare në Gazë, thanë ekspertët.
Por, Katz ka hedhur poshtë këto argumente, duke thënë se vetëm një pjesë e ndihmës është dërguar në Gazë nga UNRWA.
“Edhe tani, shumica e ndihmës humanitare në Gazë dërgohet nga organizata të tjera dhe vetëm 13 për qind dërgohet nga UNRWA”, tha Katz.
“Shteti i Izraelit është i përkushtuar ndaj ligjit ndërkombëtar dhe do të vazhdojë të lehtësojë hyrjen e ndihmës humanitare në Rripin e Gazës në një mënyrë që nuk do të rrezikojë sigurinë e qytetarëve të Izraelit”, shtoi ai.
Disa hetime gjetën se nëntë punëtorë “mund të jenë përfshirë” në sulmin e 7 tetorit, por nuk u gjetën dëshmi për të mbështetur akuzat kryesore të Izraelit.
Ndalimi ka rritur frikën në mesin e punëtorëve të agjencisë së OKB-së në Bregun e pushtuar Perëndimor se mund të përballen probleme, por edhe në vende të tjera sikurse në Jerusalemin Lindor apo në Izrael.
UNRWA dhe agjenci të tjera humanitare kanë akuzuar autoritetet izraelite se po kufizojnë dërgesat me ndihma për në Gazë, ku shumica e popullsisë prej 2.3 milionë banorësh është zhvendosur disa herë gjatë luftës.