back to top
18.5 C
Tirana
E enjte, 9 Prill, 2026
spot_img
KreuAktualitetBotaKallas paralajmëron Izraelin/ "Sulmet në Liban rrezikojnë armëpushimin"

Kallas paralajmëron Izraelin/ “Sulmet në Liban rrezikojnë armëpushimin”

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, i ka bërë thirrje Izraelit të ndalë sulmet në Liban, duke deklaruar se ato po tejkalojnë kufijtë e vetëmbrojtjes dhe po rrezikojnë stabilitetin në rajon, përfshirë edhe marrëveshjet ndërkombëtare të armëpushimit.

Në një reagim në rrjetin social X, Kallas theksoi se ndërsa Hezbollah ka përfshirë Libanin në konflikt, e drejta e Izraelit për vetëmbrojtje nuk justifikon, sipas saj, shkallën e shkatërrimit të shkaktuar nga sulmet.

“Hezbollahu e përfshiu Libanin në luftë, por e drejta e Izraelit për t’u vetëmbrojtur nuk justifikon shkaktimin e një shkatërrimi kaq masiv,” shkroi ajo, duke shtuar se qindra persona janë vrarë si pasojë e sulmeve ajrore, çka e bën të vështirë, sipas saj, argumentin se këto veprime mbeten brenda kufijve të vetëmbrojtjes.

Deklaratat e Kallas vijnë në një moment kur autoritetet libaneze raportojnë për një bilanc të rëndë viktimash. Ministri i Shëndetësisë së Libanit ka deklaruar se të paktën 203 persona janë vrarë si pasojë e sulmeve ajrore të mërkurën, duke rritur presionin ndërkombëtar ndaj Izraelit për të ndalur ofensivën.

Kritika të ngjashme janë shprehur edhe nga Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, António Guterres, i cili ka paralajmëruar se situata po rrezikon përshkallëzimin e konfliktit dhe minon përpjekjet për stabilitet në rajon.

Kallas dhe Guterres kanë ngritur shqetësimin se veprimet ushtarake të Izraelit mund të rrezikojnë edhe marrëveshjen e armëpushimit të ndërmjetësuar nga SHBA, e cila u njoftua më herët nga Presidenti amerikan Donald Trump. Sipas tyre, zhvillimet e fundit dhe tensionet në rritje, përfshirë edhe kërcënimet e Iranit për mbylljen e Ngushticës së Hormuzit, e bëjnë marrëveshjen gjithnjë e më të brishtë.

Nga ana tjetër, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka deklaruar se Izraeli do të vijojë operacionet ushtarake kundër Hezbollahut.

“Do të vazhdojmë të godasim Hezbollahun me forcë, precizion dhe vendosmëri. Kushdo që vepron kundër civilëve izraelitë do të goditet,” është shprehur Netanyahu.

Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara argumentojnë se Libani nuk përfshihet në marrëveshjen e armëpushimit, ndërsa Irani ka deklaruar se do të respektojë çdo marrëveshje vetëm nëse ndalen sulmet izraelite në territorin libanez, ku Forcat Mbrojtëse të Izraelit po vazhdojnë operacionet kundër Hezbollahut, një grup militant dhe forcë politike e lidhur ngushtë me Teheranin.

Deklaratat e fundit të Kallas pritet të shtojnë tensionet diplomatike mes Bashkimit Evropian dhe Izraelit, marrëdhënie që janë përkeqësuar ndjeshëm për shkak të konfliktit në Gaza dhe kritikave për zhvillimet në Bregun Perëndimor, si dhe ofensivën e vazhdueshme në Liban.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat