Komisioni i Parlamentit Evropian për Punët e Jashtme ka diskutuar të martën e 18 marsit gjetjet e draft-raportit për Shqipërinë, të përpiluar nga raportuesi Andreas Schieder.
“Kemi disa mesazhe kyçe në skenë. Një prej tyre është progresi i shpejtë i fundit i hapjes së Grup-kapitujve Themelore në tetor 2024 dhe Grup-kapitullit të Marrëdhënieve me Jashtë në dhjetor 2024 dhe plani i Shqipërisë për të hapur më tej kapituj në vijim gjatë vitit”, u shpreh fillimisht Schieder.
Ai shtoi se Shqipëria është një partner i besueshëm i politikës së jashtme, por megjithatë ka edhe sfida që vazhdojnë.
“Kapërcimi i një polarizimi të brendshëm politik, duhet të forcohet shteti i së drejtës dhe gjithashtu konsolidimin e reformave kundër korrupsionit. Për reformat zgjedhore, duhet të adresohen dhe zbatohen gjithashtu rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe gjithashtu duhet bërë më shumë progres për pavarësinë e medias”, vijoi eurodeputeti austriak.
“Progres i mirë është bërë në zbatimin e Reformës në Drejtësi, duke përfshirë procesin e Vettingut dhe ecurinë në rritje të SPAK-ut”, kujtoi po ashtu Schieder.
Ambasadori i Shqipërisë në Belgjikë, Luksemburg dhe Bashkimin Evropian, Ferit Hoxha, falënderoi Schieder-in për “një raport të mirë, të balancuar dhe realist”.
“Anëtarësimi në BE nuk është një shëtitje në park; është rezultat i vullnetit të fortë politik, punës së palodhur dhe reformave të thella, një proces ku sfidat shndërrohen në mundësi”, theksoi diplomati shqiptar.
Draft-raporti për Shqipërinë nënvizon “punën kyçe” të Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të Shqipërisë (SPAK).
Kjo, sa i takon ndërtimit të një historie të hetimit, ndjekjes penale dhe dënimit në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë duke paralajmëruar kundër cenimit të punës së saj.
Draft-raporti përshëndet fillimisht progresin që ka arritur Shqipëria në zbatimin e reformave në drejtësi, përfshirë procesin e vetingut, të përfunduar në shkallë të parë.
Megjithatë, dokumenti shpreh shqetësimin për “ndërhyrjet e vazhdueshme politike” dhe “presionin mbi sistemin gjyqësor”.
Ajo vuri në dukje sfidat në lidhje me cilësinë dhe efikasitetin e sistemit të drejtësisë, duke përfshirë numrin e lartë të vendeve të lira gjyqësore, stafin e pamjaftueshëm të gjykatave, cilësinë e trajnimit fillestar dhe të vazhdueshëm gjyqësor.
Dokumenti i vlerësimit vëren se alokimet buxhetore janë të pamjaftueshme, veçanërisht për komponentin e gjykatës.
Draft-raporti vuri në dukje po ashtu nevojën për të krijuar një zyrë të fortë rikuperimi të pasurive dhe për të përmirësuar verifikimin, hetimin, ndjekjen penale dhe dënimin e rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë, duke përfshirë konfiskimin përfundimtar të aseteve kriminale.
Drejt mbylljes së pikës për “Shtetin e së Drejtës”, dokumenti vë në dukje emërimin e prokurorëve shtesë në Prokurorinë Speciale si dhe ngritjen e një njësie të hetimit financiar.