back to top
6.5 C
Tirana
E martë, 17 Shkurt, 2026
spot_img
KreuAktualitetKosovaKosova marshon për drejtësi ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së

Kosova marshon për drejtësi ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së

Mijëra qytetarë nga Kosova, Shqipëria dhe treva të tjera shqiptare iu bashkuan marshit “Drejtësi, jo politikë”, i organizuar në Prishtinë, për të kërkuar drejtësi për ish-udhëheqësit e UÇK që po gjykohen në Hagë. Tubimi u zhvillua në sheshin qendror të kryeqytetit, ku pjesëmarrësit marshuan me pankarta dhe thirrje në mbështetje të luftës çlirimtare dhe historisë së saj.

Në mesin e pjesëmarrësve ishte edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila u pa krah Endrit Thaçit, djalit të ish-presidentit Hashim Thaçi, një nga të akuzuarit në procesin gjyqësor në Dhomat e Specializuara në Hagë. Prania e saj u konsiderua nga organizatorët si një shenjë solidariteti institucional me ish-udhëheqësit e luftës dhe familjet e tyre.

Sipas organizatorëve, marshimi synonte të përcillte mesazhin se proceset gjyqësore duhet të jenë të drejta dhe të pandikuara politikisht, ndërsa lufta e UÇK-së nuk mund të vihet në dyshim. Pjesëmarrësit mbanin në duar pankarta me mbishkrime si “Liria ka Emër”, “Historia nuk mund të rishkruhet” dhe “Liri në emër të popullit”, duke theksuar se sakrifica e luftëtarëve duhet të respektohet.

Themeluesi i platformës “Liria ka Emër”, Ismajl Tasholli, deklaroi se mbështetja qytetare tregon se, pavarësisht proceseve në Hagë, shumica e shqiptarëve e konsiderojnë luftën e UÇK-së si çlirimtare. Ai shtoi se organizatorët do të vazhdojnë aktivitetet publike për të mbrojtur, sipas tij, të vërtetën historike dhe për të kërkuar drejtësi të paanshme.

Ndërkohë, organizatorët theksuan se marshimi u zhvillua pa incidente dhe në një atmosferë paqësore, ndërsa pjesëmarrja e lartë u interpretua si një mobilizim i gjerë qytetar. Ata nënvizuan se mbështetja për ish-krerët e UÇK-së nuk lidhet vetëm me individët, por me historinë e luftës dhe identitetin shtetëror të Kosovës.

Marshi “Drejtësi, jo politikë” konsiderohet një nga tubimet më të mëdha të mbajtura kohët e fundit në kryeqytet për këtë çështje, duke reflektuar ndjeshmërinë e lartë publike ndaj proceseve gjyqësore që lidhen me ish-udhëheqësit e luftës.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat