Etleva Skonja
Mediat dhe raportimi i dhunës seksuale ndaj të miturve
Me 18 shtator 2025, policia dhe prokuroria raportuan një rast tronditës. Një 16-vjeçare nga Këlcyra ishte abuzuar seksualisht dhe shantazhuar nga njerku i saj dhe dy efektivë policie. Një krim i rëndë, që duhej të trajtohej me seriozitet të plotë dhe me theks tek autorët e dyshuar. Por çfarë ndodhi në hapësirën mediatike?
Në vend që të fokusohej tek përgjegjësia penale e të rriturve që abuzuan një të mitur, një pjesë e mediave shqiptare vendosi viktimën në qendër të narrativës. Titujt e portaleve dhe diskutimet televizive shpesh përmendnin 16-vjeçaren si protagoniste të një “trekëndëshi abuzimi” apo e quanin autorin e krimit “të dashurin 46-vjeçar”. Një përshkrim i tillë, përveçse jo i vërtetë, minimizon krimin dhe e paraqet abuzuesin si figurë të një marrëdhënieje të zakonshme dashurie.
Një e mitur në këtë rast viktima, sipas nenit 100 të Kodit Penal ligjit, nuk mund të vendosë vetë dhe kushdo që hyn në marrëdhënie me të mban përgjegjësi penale.
Por, në emisione dhe kronika, theksi u vu tek e mitura, mbi jetën dhe rrethanat e saj, duke lënë në hije autorët. Ky lloj raportimi e zhvendos vëmendjen nga përgjegjësia e krimit dhe e rikthen viktimën në një lloj “subjekti hetimi moral”.
Normalizimi i marrëdhënieve kriminale
Përdorimi i termit “i dashur” për një 46-vjeçar që ka abuzuar me një të mitur është një formë e normalizimit të krimit. Media, me gjuhën që përdor, rrezikon ta paraqesë abuzimin si një histori dashurie të ndaluar, e jo si shkelje të rëndë ligjore dhe dhunë seksuale.
Analiza e disa rasteve të viteve 2021–2025 tregon një model të përsëritur. Viktimat ekspozohen, abuzuesit relativizohen, dhe dhimbja kthehet në spektakël.
Sensacionalizimi i dhimbjes
Me anë të titujve ekspozohen detaje intime të viktimave, duke përfshijnë dëshmi të dhimbshme në formë sensacioni dhe shpesh japin më shumë hapësirë për narrativën e familjes së abuzuesit se sa për mbrojtjen e viktimës. Në vend që të tregojnë qartë dimensionin kriminal të ngjarjes, këto tituj e kthejnë dramën në spektakël.
Mirgit Vataj: Mediat po ri-traumatizojnë viktimat

Kreu i Urdhërit të Punonjësit Social, Mirgit Vataj, në një postim në faqen e tij personale në Facebook akuzon drejtëpërdrejt mediat se me mënyrën e tyre të raportimit po i ri-traumatizojnë viktimat dhe po pengojnë edhe denoncimet e reja.
Sipas Vatajt, problemi qëndron tek mungesa e etikës profesionale dhe tek prioriteti që u jepet klikimeve e sensacionit përpara mbrojtjes së dinjitetit të viktimave. Intervistimi i familjarëve pa respektimin e privatësisë, publikimi i emrave apo detajeve që çojnë drejt identifikimit të fëmijëve dhe ekspozimi i tyre përballë kamerave, përbëjnë sipas tij një formë tjetër dhune.
Ai sjell shembuj konkretë ku gazetarët, në vend që të mbrojnë fëmijët, i kanë vendosur ata në qendër të vëmendjes, duke e kthyer traumën e tyre në një spektakël televiziv. Në këtë mënyrë, sipas tij, viktimat jo vetëm që nuk ndihmohen, por përjetojnë edhe një “ri-abuzim” publik.
“Media, nga monitorimet që unë kam bërë, i ka ritraumatizuar viktimat. Nuk mund të marrësh në fytyrë nënën pa i sfumuar fytyrën, nuk mund të pyesësh nënën për detaje se si ka ndodhur ngjarja, për detaje të rastit si ka ndodhi abuzimi. Nuk mund të nxjerrësh emër, mbiemër të dhunuesit se identifikohet fare kollaj viktima. Masakrues ka qenë rasti kur ti shkon të marrësh në intervistë dhe ta pyesësh për detaje të abuzimit, nënën me fëmijë në dorë, duke riabuzuar edhe fëmijën tjetër.
Sepse fëmijët mbajnë mend, nuk ka rëndësi mosha, do i kujtohet në një moment që ishin disa kamera, mami po fliste se çfarë i ka ndodhur motrës.Në këtë moment ata kanë nevojë për ndihmë, nuk kanë nevojë për publicitet”, është shprehur Vataj, në emisionin Quo Vadis.
Pasoja: Heshtje dhe frikë për të denoncuar
Një nga shqetësimet më të mëdha që ngre Vataj është efekti dekurajues i këtyre praktikave mediatike. Viktimat potenciale ose prindërit e tyre hezitojnë të denoncojnë, nga frika se historia e tyre do të bëhet publike, se do të ekspozohen para komunitetit ose se do të vendosen sërish nën presionin e gjykimit publik.
Në vend që të ndihmojnë drejtësinë dhe të forcojnë besimin e shoqërisë te sistemi i mbrojtjes sociale, mediat, sipas Vatajt, po japin efektin e kundërt: duke penguar denoncimet dhe duke i bërë viktimat të ndihen të pambrojtura edhe në momentin që guxojnë të flasin.
“Kur publikohet lajmi në mënyrë të tillë, dekurajohen viktimat që mund të jenë duke u abuzuar tani, që të denoncojnë, sepse kanë frikën se do flasin prindërit e tyre, do të ekspozohet nëna dhe babai, pra jep efektin e kundërt. Kjo e pengon denoncimin.
Media duhet të luajë rolin e vet ndërgjegjësues”, përfundon Vataj.
AMA: Rritje e ndjeshme e ankesave në 2024

Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) thekson se mbrojtja e dinjitetit, privatësisë dhe të drejtave të fëmijëve në përmbajtjet audiovizive mbetet një ndër prioritetet kryesore të veprimtarisë së saj rregullatore. Institucioni bën të ditur se monitorimi i raportimeve për raste abuzimi seksual ndaj të miturve po bëhet gjithnjë e më i kujdesshëm, ndërsa ndjeshmëria publike dhe institucionale për këtë çështje është rritur ndjeshëm gjatë viteve të fundit.
Statistikat e tre viteve të fundit tregojnë ndryshime të dukshme në shqetësimet e publikut për këtë çështje:
Ankesat në AMA
| Viti | Numri i Ankesave | Raste për fëmijët | Raste për privatësinë |
| 2022 | 310 | 32% | – |
| 2023 | 390 | 16.4% | 2 |
| 2024 | 349 | 59.5% | 32 (31 tërheqje, 1 pa shkelje) |
Deri në fund të shtatorit 2025, janë dhënë 19 masa paralajmëruese për raste të ngjashme, ndërsa në një rast konkret është vendosur gjobë për përmbajtje që shkelte detyrimet ligjore në raportimin për një vajzë të mitur, më 30 prill 2025.
Masat nga AMA
| Periudha | Masa paralajmëruese | Gjobë | Përshkrimi |
| Deri në shtator 2025 | 19 | 1 | Gjobë për raportim mbi vajzë të mitur (30 prill 2025) |
AMA shpjegon se, edhe pse nuk bën vlerësime të përgjithshme mbi mënyrën sesi mediat trajtojnë raste të tilla, pasi kjo lidhet me politikat editoriale dhe lirinë e shprehjes, detyrimi ligjor i çdo transmetuesi është të respektojë standardet ligjore dhe etike për raportimin mbi fëmijët.
Sipas AMA-s, ekziston një protokoll i detajuar ligjor dhe nënligjor për mbrojtjen e privatësisë së të miturve, veçanërisht në rastet kur ata janë viktima abuzimi. Ligji detyron përdorimin e masave teknike si anonimizimi i zërit dhe imazhit, ndërsa Kodi i Transmetimit ndalon çdo përmbajtje që mund të çojë në stigmatizim ose identifikim të fëmijës.
Masa ndëshkimore: Përjashtim, jo rregull
Në përgjithësi, Këshilli i Ankesave nuk ka vendosur gjoba ndaj mediave për ekspozimin e të miturve, duke u fokusuar kryesisht te masat paralajmëruese dhe korrigjuese. Sipas AMA-s, kjo lidhet me faktin se në shumicën e rasteve shkeljet kanë qenë të pjesshme, si identifikimi i tërthortë përmes detajeve rrethanore, dhe jo publikim i drejtpërdrejtë i identitetit.
Në disa raste, burimi i publikimit të të dhënave ka qenë vetë Policia e Shtetit, ndaj AMA ka kërkuar zyrtarisht një menaxhim më të kujdesshëm të informacionit. Në raste të tjera, vendimi i Këshillit të Ankesave të AMA-s, i ka lënë të pakënaqur ankuesit, siç është rastiiI programit “Piranjat”, për të cilin pati një ankesë nga Observatori për të Drejtat e Fëmijëve dhe të Rinjve për një kronikë të transmetuar më 28 shkurt 2025, ku raportohej për një vajzë 16-vjeçare me aftësi të kufizuara, viktimë e abuzimit seksual.
Pas verifikimit, AMA konstatoi se ishin respektuar të gjitha detyrimet ligjore dhe nënligjore për mbrojtjen e identitetit të saj, duke përdorur teknika anonimizimi dhe shmangur çdo publikim të të dhënave identifikuese. Për rrjedhojë, nuk u vendos asnjë masë ndaj transmetuesit (AMA).
Megjithatë Elma Tërshana, drejtuese e Observatorit për të Drejtat e Fëmijëve, nuk është dakort me vendimin e AMA-s.
Elma Tërshana: Mediat tregojnë papjekuri në trajtimin e rasteve të abuzimit seksual

“Lajmi ku vendoset vajza në qendër dhe gjithë detajet përkatëse, ndërsa autorët duke u lënë në hije, nuk duhej të ishte bërë. Nëse ndodh si problem, duhet të trajtohet si fenomen, pasi nuk lejohet marrëdhënie e një të rrituri me një të mitur, kjo dënohet me ligj në mënyrë absolute. Lajmi duhej filluar që këtu .”
Tërshana mendon se institucionet e bëjnë shumë mirë punën dhe pa dalë në lajme. “Nuk duhej të ishte ekspozuar as fëmija, as i rrituri, sepse i rrituri dihej se me kë ka pas marrëdhënie”, thotë më tej Tërshana, duke iu referuar rasteve të ndodhura.
Tërshana ka komentuar edhe një nga rastet, kur gazetarët marrin në intervistë gruan e autorit të dyshuar të krimit:
“Kur shkon e pyet gruan e tij, çfarë faktesh po sjell? Është prokurori për të zbuluar nëse ka qenë një marrëveshje mes burrit dhe gruas për këtë marrëdhënie. Atëherë quhet edhe gruaja bashkëfajtore dhe në këtë rast kalon në gjykim më të thelluar. Ndërkohë vajza duhet të shkojë në rehabilitim, duhet të ndihmohet edhe familja.”
Sipas Tërshanës, trajnimi i gazetarëve për cështje të etikës profesionale ende nuk shihet si një investim i duhur nga pronarët e mediave:
“Nuk shikohet nga pronarët e medias si një investim korrekt tek individi për të bërë këtë gjë. Njëherë që kam biseduar me disa vajza, më tregonin se edhe pse mund të specializoheshin në këtë drejtim, nëse vjen një lajm, do ta bëjmë edhe lajmin tjetër, pavarësisht edhe pse s’kemi specializimin e duhur. Bërjes së lajmit në Shqipëri i mungon një orientim i mirëfilltë”, përfundon Tërshana.
Prokuroria: Publikimi i të dhënave të të miturve është krim penal

Prokuroria e Përgjithshme në një deklaratë për AWA-n dhe Rrjetin e Grave Gazetare se ka konstatuar disa raste pwr tw cilat ka bashkëpunuar me Autoritetin e Mediave Audiovizive (AMA) për fshirjen e të dhënave të publikuara në media që lidhen me të miturit.
“Prokurorët në trajtimin e çështjeve marrin masa gjithëpërfshirëse për garantimin e të drejtave të të miturit duke koordinuar me agjencitë e tjera si Policia e Shtetit dhe shërbimet sociale, në mënyrë që masat t’u përgjigjen nevojave të rastit konkret, të jenë efektive dhe të kenë në qendër mbrojtjen e të miturit”, –thuhet nw pwrgjigjen e Prokurorisw sw Pwrgjithshme.
Mw tej, i njëjti institucion thekson se identifikimi dhe publikimi në çfarëdolloj forme i të dhënave personale të një të mituri përbën vepër penale.
Por edhe neni 14 të Kodit të Etikës së gazetarëve, saktwson se duhet të respektohen të gjitha parimet e konfirmuara në Konventat Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijëve dhe legjislacionin shqiptar mbi të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijëve.
Analiza
Rasti 1 — Këlcyrë, 2025
Ngjarja: Një 16-vjeçare denoncoi abuzimin dhe shantazhin nga njerku i saj dhe dy efektivë policie.
Si u raportua:
“16-vjeçarja ka qenë në një trekëndësh abuzimi” (Top Channel)
“16-vjeçarja në Këlcyrë viktimë e abuzimit nga i dashuri 46-vjeçar, njerku i saj dhe efektivi i policisë” (Top Channel)
Problematikat
Termi “i dashur 46-vjeçar” është një normalizim i krimit. Një i mitur nuk mund të ketë marrëdhënie të vlefshme ligjërisht.
Përqëndrimi tek “trekëndëshi” e shndërron ngjarjen në një histori skandali, duke e lënë në hije dimensionin kriminal.
Viktima vendoset në qendër si protagoniste, ndërsa autorët dalin si figura dytësore.
Si duhej të raportohej:
“Dy efektivë policie dhe njerku nën hetim për abuzim seksual ndaj 16-vjeçares”. Fokus tek autorët, pa e pozicionuar vajzën si pjesë e një “historie dashurie”.
Rasti 2 — Korçë, 2024
Ngjarja: Një vajzë 16-vjeçare denoncoi fqinjën për abuzim. Në një emision televiziv u bënë publike inicialet dhe detaje që lejonin identifikimin e saj.
Si u raportua:
“Mos trego se do të ther, 16-vjeçarja tregon momentet e tmerrit” (Panorama)
Si duhej të raportohej:
“Fqinj i dyshuar për abuzim seksual ndaj 16-vjeçares në Korçë – viktima mbrohet nga autoritetet”. Pa iniciale, pa fragmente të dhimbjes private.
Rasti 3 — Gjirokastër, 2021
Ngjarja: Një 16-vjeçare u abuzua nga i afërmi i saj 53-vjeçar.
Si u raportua:
“Përdhunimi i 16-vjeçares në Gjirokastër… (EMRI)” (Newsbomb)
Si duhej të raportohej:
“53-vjeçari në Gjirokastër akuzohet për abuzim ndaj të miturës – Prokuroria nis hetimet”. Fokusi tek autori, pa emra dhe pa detaje që e zbulojnë viktimën.
Rasti 4 — Maliq, 2021
Ngjarja: Një 16-vjeçare akuzoi shokun e babait për abuzim të vazhdueshëm.
Si u raportua:
“16-vjeçarja denoncon shokun e babait, ka abuzuar me mua prej 4 vitesh… flet familja e 44-vjeçarit” (Albeu)
“Ishte familjar i rregullt” (Euronews)
Si duhej të raportohej
“44-vjeçari i dyshuar për abuzim ndaj të miturës në Maliq – hetimet zbulojnë detaje të reja”. Pa intervista të menjëhershme me familjarët e autorit që cenojnë besueshmërinë e viktimës.
Rasti 5 — Tiranë dhe raste të tjera (2021–2024)
Si u raportua:
“Babai e përdhunonte, vajza i tha nënës, por ajo i quajti budallallëqe” (ABC News)
“Më futi në shtëpi dhe…” (Pamfleti)
Si duhej të raportohej:
“Hetim për abuzim seksual ndaj të miturës në Tiranë/ Babai akuzohet për dhunë të përsëritur”. Pa fraza të dhimbshme të marra nga dëshmia e vajzës.



