Gjykata Kushtetuese ka pranuar kërkesën e gazetarit Elton Qyno, duke shfuqizuar vendimet gjyqësore për sekuestron e të dhënave të tij kompjuterike.
Pas shqyrtimit të çështjes, Gjykata konstatoi se ndërhyrja në të dhënat kompjuterike të gazetarit përbënte një ndërhyrje disproporcionale në të drejtën kushtetuese të shprehjes, e garantuar nga neni 22 i Kushtetutës dhe neni 10 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Sipas Kushtetueses, urdhërimi për zbulimin e burimeve të një gazetari bie ndesh me parimet e lirisë së shtypit, përveçse kur ka një bazë të qartë ligjore dhe një interes publik mbizotërues.
Gjykata theksoi se të drejtat e gazetarëve për të mbrojtur burimet e tyre nuk janë një privilegj, por një element themelor i lirisë së medias dhe i së drejtës së publikut për t’u informuar.
Gjykata Kushtetuese vlerësoi se urdhërimi dhe detyrimi i gazetarit për të treguar burimet e tij të informacionit është me natyrë antikushtetuese dhe shkelje e të drejtave të garantuara nga ligji.
“Mbrojtja e burimeve të gazetarëve është një prej garancive kryesore të lirisë së medias, si pjesë e lirisë kushtetuese të shprehjes. Ndaj, urdhërimi i gazetarit për të zbuluar burimet e tij mund të jetë në kundërshtim me Kushtetutën, përveçse kur ekziston një bazë e qartë ligjore që e autorizon dhe një interes publik mbizotërues që e dikton atë. E drejta e gazetarit për të mos zbuluar burimet e tij nuk është privilegj, pasi në thelb mbron jo vetëm lirinë e medias, por edhe të drejtën e informimit të publikut,” theksohet në vendimin e shpallur nga Gjykata Kushtetuese.
Gjykata Kushtetuese i dha të drejtë organit të akuzës për të kryer hetimet për çështjen, por konstatoi se veprimet e kryera deri në sekuestrimin e të dhënave personale dhe detyrimin e gazetarit për të zbuluar burimet e tij, kishin tejkaluar kufizimet e ligjit.
Gjykata gjithashtu urdhëroi shkatërrimin e të gjitha të dhënave kompjuterike dhe telefonike të sekuestruara nga prokuroria për çështjen hetimore, pasi i konsideroi ato të paligjshme.
Gjykata Kushtetuese rrëzoi dy prokurorët e posaçëm, Ols Dado dhe Bledar Maksuti ndërsa në padinë e Qynos kërkohej shfuqizimi i vendimmarrjeve që çuan në këto vendime, duke i cilësuar ato si shkelje të lirive dhe të drejtave të njeriut.
Gazetari Elton Qyno u mor në pyetje në dhjetor 2023 për rrjedhjen e materialeve të një dosje hetimore për një sërë krimesh të rënda, ndërsa pas një kontrolli në shtëpinë e tij, prokuroria sekuestroi celularët dhe mjetet elektronike.
Gazetari, pas vendimit, e cilësoi atë një “vendim pozitiv dhe shtoi se beteja e tij nuk ishte për interesat personale, por për një kauzë të rëndësishme.
“Është një vendim që sjell optimizëm në media, pavarësisht se beteja më ra mua që ta zhvilloja përgjatë dy viteve. Gjykata Kushtetuese u impenjua maksimalisht, duke marrë praktikat jo vetëm të Strasburgut, por edhe të gjykatave të tjera, për të vendosur unanimisht në favor të medias, jo në favor të Elton Qynos, sepse kjo betejë nuk ishte për interesat e mia, por për të mbrojtur një kauzë”, u shpreh ai.
NJOFTIM PËR MEDIA
Shfuqizohet Vendimi për Sekuestrimin e Të Dhënave të Gazetarit Elton Qyno
Tiranë, 22 Prill 2025 – Gjykata Kushtetuese shqyrtoi sot kërkesën e gazetarit Elton Qyno për shfuqizimin e vendimeve gjyqësore lidhur me kontrollin personal, të banesës dhe vendit të punës, si dhe sekuestrimin e sendeve dhe të dhënave kompjuterike.
Pas analizës së kërkesës, Gjykata konstatoi se kërkuesi ka shteruar mjetet juridike të disponueshme dhe ka legjitimitet për të kërkuar shfuqizimin e vendimeve që lejuan sekuestrimin e të dhënave kompjuterike. Gjykata theksoi se pretendimi lidhur me lirinë personale nuk është i lidhur me vendimet për sekuestrimin e të dhënave.
Në shqyrtimin e themelit të çështjes, Gjykata u përqendrua në pretendimin e gazetarit për cenimin e lirisë së shprehjes, e garantuar nga Neni 22 i Kushtetutës dhe Neni 10 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Gjykata theksoi se liria e shprehjes përfshin edhe lirinë e shtypit dhe të drejtën e gazetarëve për të mbrojtur burimet e tyre, një element thelbësor i lirisë së medias. U vlerësua se urdhërimi për zbuluar burimet e një gazetari është në kundërshtim me Kushtetutën, përveçse kur ka një bazë ligjore të qartë dhe një interes publik mbizotërues.
Gjykata Kushtetuese konstatoi se vendimet gjyqësore që lejuan sekuestrimin e të dhënave kompjuterike të gazetarit kishin ndërhyrë në lirinë e shprehjes. Gjykata gjithashtu analizoi kriteret e kufizimit të kësaj ndërhyrjeje dhe vlerësoi se ndërhyrja në lirinë e shprehjes nuk ishte proporcionale. Sipas Gjykatës, gjykatat e zakonshme nuk kishin arsyetuar pse kishte pasur nevojë që të dhënat të merren vetëm përmes identifikimit të burimit të gazetarit, dhe nuk ishte shpjeguar se pse nuk ekzistonin mjete të tjera ligjore për të arritur të njëjtin qëllim.
Për këto arsye, Gjykata Kushtetuese vendosi njëzëri shfuqizimin e vendimeve të sekuestrimit të të dhënave kompjuterike (vendimi i GJKKO-së së Shkallës së Parë nr. 501, datë 13.12.2023, dhe vendimet e gjykatave më të larta që e kanë lënë në fuqi atë). Po ashtu, Gjykata urdhëroi asgjësimin e të gjitha të dhënave kompjuterike të sekuestruara me vendimet e shfuqizuara.
Në lidhje me pretendimet për cenimin e së drejtës për jetën private, Gjykata vlerësoi se nuk ka nevojë të ndalej, pasi ajo konstatoi se kishte pasur shkelje në lirinë e shprehjes së gazetarit.
Ky vendim u cilësua si një hap pozitiv për lirinë e medias dhe një fitore për mbrojtjen e të drejtës së gazetarëve për të mbajtur burimet e informacionit të tyre.