Avokati Kujtim Cakrani, mbrojtësi i ish-presidentit Ilir Meta, ka reaguar pas vendimit të Apelit që la në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” për klientin e tij. Cakrani e cilësoi vendimin si të paracaktuar dhe politik, duke akuzuar drejtësinë se është e kapur nga interesat politike dhe duke e quajtur një turp për Europën.
Ai paralajmëroi se kërkesa për revokimin e masës së sigurisë do të paraqitet sërish: “Do të vazhdojmë me kërkesat tona ligjore. Nesër do të paraqesim një tjetër kërkesë për revokimin e masës së sigurisë, pasi çështja është tashmë përpara gjyqtarit të seancës paraprake. Nuk është e pranueshme që një ish-President të mbahet në paraburgim”, u shpreh Cakrani.
Avokati theksoi se, sipas tij, organet e drejtësisë janë kthyer në “gjykata politike” dhe se vendimi ndaj Metës është një nga “turpet më të mëdha” që po ndodhin aktualisht në Europë.