Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu, komentoi sot në Kuvend akuzat se policia ka ushtruar dhunë gjatë protestës kombëtare të opozitës më 24 janar, duke theksuar se të gjitha veprimet e policisë janë kryer në përputhje me ligjin.
“Policia e shtetit e kreu detyrën e saj më së miri. Ajo nuk ushtroi dhunë ndaj protestuesve; ajo u përball me dhunë. Gjatë tubimit, punonjësit e policisë u sulmuan me molotov, lëndë piroteknike dhe sende të forta, duke pasur si pasojë lëndimin e 11 efektivëve, të cilët u trajtuan në spital,” tha Koçiu.
Ministrja theksoi se policia ndërmori masa për shpërndarjen e turmës vetëm pasi thirrjet për ruajtjen e karakterit paqësor u shpërfillën dhe rreziku u bë i qartë. Ajo mohoi çdo akuzë për përdorim të forcës së tepruar ose mjeteve të jashtëligjshme:
“Çdo veprim është kryer sipas ligjit. E drejta për protestë është kushtetuese, por dhuna nuk është e drejtë politike. Hedhja e molotovëve dhe sulmet ndaj policisë nuk janë protestë, por shkelje e ligjit dhe e rendit demokratik. Nuk mund të mbrohen autorët e dhunës.”
Duke folur mbi rastin e shoqërimit të 14-vjeçarit, ministrja deklaroi se djali u dërgua në komisariat për verifikim pasi qëllonte me gurë ndaj efektivëve. Ai u mbajt në një ambient të posaçëm deri në mbërritjen e përfaqësuesit ligjor. Koçiu akuzoi opozitën se e përdori rastin e të miturit si “mburojë politike” për të sulmuar policinë.
Ky koment i ministres vjen në një moment kur debati mbi përdorimin e forcës gjatë protestave është intensifikuar, dhe situata politike pas tubimit të 24 janarit vazhdon të jetë e ndjeshme.



