Deputeti socialist Erion Braçe deklaroi sot në Kuvend, gjatë diskutimit mbi aktin normativ të rishikimit të buxhetit, se treguesit kryesorë makroekonomikë mbeten pozitivë, ndërsa theksoi se problematika kryesore vazhdon të jetë mosrealizimi i shpenzimeve publike.
Sipas Braçes, ekonomia shqiptare po zgjerohet, inflacioni mbetet i ulët dhe brenda objektivit të Bankës së Shqipërisë, eksportet janë në rritje, dhe të ardhurat buxhetore janë më të larta se një vit më parë, veçanërisht në zërin e sigurimeve shoqërore, duke forcuar qëndrueshmërinë e kësaj skeme.
“Çfarë dëgjuat janë të vërteta. Ekonomia vazhdon të zgjerohet, inflacioni mbetet i ulët, eksportet rriten dhe zhvillimet buxhetore janë në përputhje me ecurinë ekonomike,” tha Braçe.
Ai nënvizoi se deficiti buxhetor mbetet brenda nivelit të programuar, dhe rregullat e arta të buxhetit janë respektuar. Megjithatë, Braçe shprehu shqetësim për dy sektorë kyç të ekonomisë kombëtare: bujqësinë dhe industrinë, të cilat vijojnë të shënojnë rënie dhe mund të ndikojnë në rimodelimin e ekonomisë.
Mosrealizimi i shpenzimeve publike, problem i theksuar
Deputeti vuri në dukje se për të disatin vit radhazi, buxheti shënon mosrealizime të konsiderueshme në shpenzime, duke parashikuar se viti 2025 mund të mbyllet me rreth 30 miliardë lekë fonde të parealizuara. Ai e konsideroi këtë si një problem menaxhimi financiar, jo si kursim.
“Nëse për realizimin e të ardhurave është evidente që po mblidhen më shumë të ardhura pa rritur tatimet, në krahun e shpenzimeve publike vazhdojmë të kemi mosrealizime. Në harkun e katër viteve, kjo arrin në 1.2 miliardë euro – thuajse një buxhet i plotë investimesh publike,” theksoi Braçe.
Ai përmendi gjithashtu sektorin e shëndetësisë, ku sipas tij, mungesa e fondeve nuk mund të konsiderohet kursim. “Janë gati 1.4 milionë euro të parealizuara për shpenzime operative dhe vaksinimin e popullsisë,” tha Braçe, duke theksuar se kjo tregon një mosmenaxhim të burimeve publike, dhe jo kursim ekonomik.
Deputeti socialist përfundoi duke nënvizuar se, megjithëse ekonomia tregon shenja të forta rritjeje dhe stabiliteti fiskal është i ruajtur, mosrealizimi i shpenzimeve publike mbetet sfidë kryesore, e cila duhet të adresohet për të garantuar eficiencën dhe efektivitetin e fondeve publike në vitet e ardhshme.



