Dënimet e reja që u dhanë për ish-oficerë ushtarakë për krime lufte të kryera gjatë viteve 1998-99 në Kosovë, janë një nga çështjet e përmendura në raportin vjetor të Organizatës “Amnesty International” për të drejtat e njeriut në Kosovë në vitin 2024.
Mirëpo, raporti i “Amnesty International” i ka dhënë theks edhe bllokimit të zbatimit të marrëveshjes së bashkëpunimit me Serbinë për t’i gjetur 1,600 persona ende të zhdukur që nga lufta.
Kjo organizatë i ka kushtuar vëmendje edhe mosmiratimit të Ligjit për fertilizimin e asistuar dhe shëndetin riprodhues (IVF) dhe Kodit Civil në Kuvendin e Kosovës.
“Parlamenti dështoi të miratonte një ligj që ofronte akses në trajtimin e Fertilizimit In Vitro (IVF) në spitalet publike. Nuk u bë asnjë përparim në lejimin e çifteve të të njëjtit seks për të formuar partneritete civile” – thuhet në raportin e “Amnesty International”.
Raporti ka kujtuar edhe dështimin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, gjë që thuhet se i privoi qytetarët e saj nga qasja në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
“Komiteti i Ministrave vonoi votimin e tij për anëtarësimin e Kosovës pasi Kosova refuzoi një kërkesë të minutës së fundit nga disa vende anëtare që së pari duhet të krijonte një Asociacion të Komunave me Shumicë Serbe, siç përcaktohet në Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013 midis Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në raportin e “Amnesty International”.
Qeveria e Kosovës në shkurt të vitit 2024 kishte marrë vendim që të zbatojë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për pronat e Manastirit të Deçanit – që ishte kusht për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Pas këtij vendimi, vendi mori dy drita të gjelbra, e në të tretën u kurthua. Ishte kërkesa për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe ajo që e la Kosovën jashtë agjendës. Disa shtete anëtare kërkuan dorëzimin e projektstatutit për themelimin e Asociacionit, si hap për të fituar mbështetjen e shumicës së përfaqësuesve të shteteve anëtare të KiE-së për anëtarësim.
Mosdërgimi për interpretim në Gjykatën Kushtetuese i draftstatutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe të hartuar nga Bashkimi Evropian, ishte arsyeja që la Kosovën jashtë agjendës së mbledhjes së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës më 17.05.2024. Kosova aplikoi më 12.05.2022 për anëtarësim në këtë Këshill.
Tutje, “Amnesty International” shton se në shkurt dhe prill të këtij viti, Gjykata Themelore e Prishtinës dënoi tre ish-anëtarë të forcave policore dhe ushtarake serbe për krime lufte të kryera në vitin 1999 në rajonet e Prishtinës dhe Istogut – Dushko Arsiq, Ekrem Bajroviq dhe Çaslav Joliq, të cilët morën dënime me 13, 12 dhe 8 vjet burgim.
“Në korrik, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë dënuan ish-anëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala, me 18 vjet burgim për krimet e luftës të ndalimit arbitrar, torturës dhe vrasjes të kryera në vitin 1999. Në shtator, Paneli i Apelit ndryshoi dënimin e dhënë ndaj Salih Mustafës, një komandant njësie të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i akuzuar për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje, nga 22 në 15 vjet burgim”, ka shtuar “Amnesty International”, raporton Kallxo.com.
Më tej, raporti flet edhe për kërkesën e Qendrës së Rehabilitimit të Viktimave të Torturës në Kosovë te Qeveria e Kosovës që të shtyjë afatin për aplikim për statusin e “viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës”, që përfshin dëmshpërblime prej 230 eurosh në muaj.
“Që nga tetori, një komision qeveritar i krijuar në vitin 2018 u kishte dhënë këtë status 1,688 nga 2,018 aplikantëve”, raporton “Amnesty International”.
Kurse, pasi Ligji për fertilizimin e asistuar dhe shëndetin riprodhues (IVF) nuk u votua në Kuvendin e Kosovës, “Amnesty International” potencon se pati debat dhe dezinformata, gjuhë urrejtjeje kundër grave beqare nga disa deputetë.
Ndërsa, për reformat në Kodin Civil thonë se Qeveria e Kosovës dështoi të propozonte një votim të ri për këto reforma, të cilat nuk u votuan në Kuvendin e Kosovës më 2022.
Qeveria e Kosovës nën udhëheqjen e Albin Kurtit gjatë mandatit të saj 2021-2025 ka tentuar të votojë Kodin Civil në Kosovë. Në seancën e 16 marsit të vitit 2022, Projektkodi Civil kishte dështuar të kalonte në Kuvendin e Kosovës. Me 28 vota për, 28 kundër dhe 4 abstenime, Kuvendi i Kosovës nuk e kishte miratuar në shqyrtim të parë Projektkodin Civil të Republikës së Kosovës. Votat kundër ishin edhe të 14 deputetëve nga Lëvizja Vetëvendosje. Të njëjtit, nuk kanë dhënë shenja që kanë lëvizur nga qëndrimi. Debatet dhe kundërshtimet ishin në lidhje me Nenin 1138 të këtij Projektkodi.
Sipas Projektkodit Civil, në Kapitullin II, saktësisht Neni 1138, thuhet se martesa është bashkësi e regjistruar ligjërisht ndërmjet dy bashkëshortëve të sekseve të ndryshme, me anë të së cilës ata lirshëm vendosin që të jetojnë së bashku si burrë e grua. Pika dy e Nenit 1138 thotë: Bashkësitë e regjistruara civile ndërmjet personave me sekse të njëjta janë të lejuara. Kushtet dhe procedura rregullohen me Ligj të veçantë.
Kurse, Projektligji për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor nuk është hedhur në votim as në seancën e Kuvendit të Kosovës të mbajtur më 07.03.2024 për shkak të mungesës së kuorumit për të votuar.
Projektligji për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor është miratuar në parim në tetor të vitit 2023. Në mars të vitit 2023, ky Projektligj ka ngjallur debat mes deputetëve në Kuvend.
Për masakrat dhe krimet e tjera të luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë nga forcat serbe e jugosllave gjatë luftës së viteve 1998/1999 ishin gjykuar, e disa edhe dënuar, ish-udhëheqësit më të lartë politikë dhe ushtarakë të Jugosllavisë së mbetur dhe të Serbisë.
Ish-presidenti i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, ishte akuzuar për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit, të kryera nga forcat serbe e jugosllave në Kosovë. Millosheviq ishte akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera edhe në luftërat në Bosnjë e Hercegovinë, si dhe në Kroaci.
Gjykimi i tij në Gjykatën ndërkombëtare penale për ish-Jugosllavinë (ICTY), me seli në Hagë, nuk kishte marrë epilog pasi Millosheviq kishte vdekur më 11.03.2006 në qeli teksa po mbahej në paraburgim.
Millan Millutinoviq, ish-kryetari i Serbisë, ishte liruar nga akuzat për krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë. Nikolla Shainoviq, zëvendëskryeministër i Republikës Federale të Jugosllavisë, ishte dënuar me 18 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.
Dragolub Ojdaniq, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 15 vjet burg për krime kundër njerëzimit.
Nebojsha Pavkoviq, ish-komandanti i Armatës së Tretë të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 22 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.
Vlladimir Llazareviq, ish-komandanti i Korpusit të Prishtinës të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 14 vjet burg për krime kundër njerëzimit.
Sreten Llukiq, ish-shefi i stafit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë për Kosovë, ishte dënuar me 20 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.