Gjatë 24 orëve të fundit, janë raportuar 26 vatra zjarri në disa qarqe të vendit, të cilat janë neutralizuar plotësisht, falë angazhimit të forcave zjarrfikëse dhe mbështetjes nga strukturat shtetërore. Zjarret janë evidentuar në qarqet e Vlorës, Gjirokastrës, Lezhës, Shkodrës, Dibrës, Korçës, Tiranës, Kukësit, Durrësit dhe Beratit.
Sipas raportimeve zyrtare, flakët kanë përfshirë kryesisht sipërfaqe me bimësi, ku si pasojë janë djegur rreth 56 hektarë me pemë, shkurre dhe barishte. Përveç dëmeve në natyrë, janë regjistruar edhe dy raste zjarresh në objekte banimi dhe biznese, ku janë shkaktuar dëme materiale.
Një nga rastet më problematike është shënuar në bashkinë e Durrësit, ku një vatër zjarri në një treg industrial ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në mallra dhe pajisje, pavarësisht ndërhyrjes së shpejtë të forcave zjarrfikëse.
Një tjetër zjarr u regjistrua në fshatin Kozare, në njësinë administrative me të njëjtin emër, bashkia Kuçovë, ku flakët përfshinë dy puse nafte. Në vendngjarje ndërhynë strukturat zjarrfikëse të Kuçovës dhe Beratit me gjithsej 4 automjete dhe 15 efektivë zjarrfikës, të mbështetur nga forca policore dhe bashkiake. Si pasojë e flakëve, u dëmtuan dy elektromotorë. Shkaku i zjarrit, sipas hetimeve paraprake, dyshohet të jetë këputja e telave të tensionit të ulët.
Në total, në operacionet për përballimin e zjarreve janë angazhuar: 64 automjete zjarrfikëse, 449 forca operacionale, 14 efektivë të Forcave të Armatosura, me 2 automjete zjarrfikëse si dhe 1 helikopter tip Cougar.
Për ditën e sotme, Instituti i Gjeoshkencave parashikon rrezik të lartë për zjarre në qarqet: Lezhë, Durrës, Tiranë, Berat dhe Fier, ndërsa në qarqet e tjera rreziku mbetet i moderuar.
Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile vijon të monitorojë situatën dhe është në gatishmëri për të ndërhyrë në çdo moment që paraqitet nevoja.