Dy ditë më parë, Igli Tafa u prezantua nga kryeministri Edi Rama në krye të AKSHI-t pasi Linda Karçanaj u pezullua nga detyra dhe po hetohet nga SPAK për grup kriminal dhe shkeljen e barazisë në tendera.
Tafa u cilësua nga Rama si një “asset” duke thënë se la punë në vende të tjera për të shërbyer në vendin e tij në momentin kur serverat shtetërorë ranë pre e sulmit kibernetik të Iranit.
“Igli është tjetër rekruti Shqipërisë dixhitale që ka lënë misione edhe punë të tjera në vende të tjera, dhe ka ardhur të shërbejë në një moment dramatik kur ne u sulmuan na terrori kibernetik. Kapaciteti i tij drejtues, i dikujt që është pjesë e juaj, kupton gjuhën tuaj, na bëri që së bashku me ministren t’i kërkojmë të spostohet brena së njëjtës godinë”-deklaroi Rama.
Megjithatë, pavarësisht se me një përvojë në vende të huaja, Tafa duket se “huqet” i ka tipike të zyrtarëve shqiptarë të cilët në disa raste postin që mbajnë e shohin si “të trashëguar” e që më pas duhet ta “trashëgojnë”. E njëjta gjë duket se ka ndodhur në rastin e Tafës i cili më herët ka mbajtur postin e drejtorit të Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK).
Ky autoritet i varur drejtpërdrejt nga Këshilli i Ministrave u transformua në vitin 2023 në një infrastrukturë të posaçme për sigurinë kibernetike. Megjithatë, kur vjen puna tek drejtori i ri duket se Tafa ka menduar se e ka ‘tokë të babës’.
Igli Tafa duke anashkaluar dy zv. drejtoreshat e kësaj agjencie, të cilat nuk janë përfshirë as në strukturën e publikuar online, vendos që të caktojë si pasardhës në këtë post, Saimir Kapllanin i cili mbante detyrën e drejtorit të Analizës së Përputhshmërisë, Riskut dhe Kontrollit të Masave të Sigurisë Kibernetike.
Vendimi është publikuar në fletoren zyrtare në kundërshtim të hapur me ligjin Nr. 25/2024 “Për Sigurinë Kibernetike” ku saktësohet se drejtori i përgjithshëm i ASKS-së, emërohet, lirohet nga detyra dhe shkarkohet nga Kryeministri i Republikës së Shqipërisë.
Skandalet në agjencitë e krijuara enkas për të çuar para vendin në epokën e digjitalizimit, duket se po bëjnë të kundërtën, duke na çuar pas në kohën e pronave më zot që trashëgohen sipas dëshirës. Nuk dihet ende nëse ku vendim ka qenë një veprim prej ‘çaprazi’ i Igli Tafës i cili zëvendësoi Mirlindia Karçanaj në një nga postet më të lakmueshme të administratës apo bjerrja e shtetit dhe ligjeve ka kapur një nivel të ri. Por fakti që ky vendim është publikuar dhe në Fletoren Zyrtare do të thotë që këta zyrtarë nuk kanë frikë as nga vepra penale që ndëshkohen me burg.
Por duke parë se sa trimërohen të punësuarit e AKSHIT, duke nisur nga Ergys Agasi, përfituesi i miliardave të taksapaguesve pa bërë asnjë punë deri tek Ermal Beqiri i cili merr tendera dhe nga arratia, Igli Tafa duket se thjesht po bën vrapin në ‘rrotën e miut’. Në një foto të publikuar më parë biznesmeni i dyshuar si bashkëdrejtues i grupit kriminal te AKSHI, Ermal Beqiri shihet me drejtorin aktual Igli Tafën dhe pasardhësin e tij tek AKSK, Saimir Kapllanin. Të gjithë shihen të buzëqeshur duke lënë të kuptohet se kanë njohje dhe duke ngritur dyshimet se ky emërim është sërish brenda “familjes”.
Një emërim i tillë nga Tafa për pasardhësin e tij, krijon idenë se në këto funksione gjithçka që lidhet me drejtimin funksionon si “qark i mbyllur” dhe jo i bazuar në meritokraci apo garë e ndershme mes kandidatëve. Saga vazhdon…/versus.al



