back to top
10.5 C
Tirana
E enjte, 30 Janar, 2025
spot_img
KreuAktualitetKosovaVendimi i ministrit Vitia për çmimet e unifikuara të barnave përfundon në...

Vendimi i ministrit Vitia për çmimet e unifikuara të barnave përfundon në Gjykatën Komerciale

Vendimi i ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, për çmimet e unifikuara të barnave është aktualisht në shqyrtim nga Gjykata Komerciale e Kosovës. Ky vendim ka shkaktuar një sërë reagimesh të ndryshme nga farmacistët, distributorët e barnave dhe të tjerë të prekur nga ky vendim i ministrit Vitia.

Kadri Bytyçi, kryetar i Odës së Farmacistëve, ka konfirmuar se janë në pritje të vendimit të Gjykatës Komerciale, për të vendosur më tutje se si do të veprojnë.

Gjithashtu, Bytyçi tha për Telegrafin se kanë realizuar edhe një pyetësor për vendimin e ministrit.

“Pyetësorin e kemi bërë, dhe kemi atakuar vendimin e ministrit si odë. Kërkesa e komunitetit tonë ka qenë se është vendim jo në përputhje me ligjin, ku neni gjashtë i obligon farmacitë me qit çmime për barna, e që është në kundërshtim me udhëzimin administrative për banderola, sepse vetëm në banderola del çmimi. Njëkohësisht ne kemi ataku edhe në aspektin juridik, në Gjykatën Komerciale në departamentin për çështje administrative vendimin e ministrit. E kemi atakuar ku kemi kërkuar masë sigurie apo pezullim, por kryesisht ka të bëjë me pikën e gjashtë, ku i dëmton shumë kolegët tanë farmacistë”, ka theksuar ai.

I pyetur se a kanë pasur komunikim me Ministrinë e Shëndetësisë, Bytyçi deklaroi se MSH nuk është përgjigjur në kërkesat e tyre.

“Absolutisht nuk janë përgjigj, kemi bërë disa kërkesa. Për mos me thonë shumë të tilla, ku kemi deklaruar se ne jemi pro ligjit, por megjithatë ligji nuk duhet t’i dëmtojë kolegët tanë të cilët punojnë e veprojnë në farmacitë e tyre duke dhënë shërbime mbi dhjetëra mijëra qytetarë brenda ditës. Po, ne jemi tu e pritë vendimin e Gjykatës, njëkohësisht e kemi shpreh edhe një shqetësim tonin se vendimi i ministrisë mundet me qenë vetëm në favor të monopoleve apo disa oligarkëve”, tha ndër tjera ai.

Kryetari i Odës së Farmacistëve tha që shpreson që vendimi i Gjykatës Komerciale të jetë i drejtë, duke shtuar se provat që kanë paraqitur janë pro ligjeve që janë në fuqi në Republikën tonë.

Bytyçi gjithashtu theksoi se nëse vendimi nuk është i drejtë, atëherë “kolegët tanë njëzëri janë deklaruar se janë të gatshëm edhe të mbajnë grevë, në qoftë se në farmaci tentohet të shkohet dhe t’u kërkohet diçka që është antiligjore”.

Konfirmimin e padisë e kanë konfirmuar edhe nga Gjykata Komerciale e Kosovës.

“Në referim të kërkesës tuaj ju njoftoj se Gjykata Komerciale – përkatësisht Departamenti për Çështje Administrative, padinë në fjalë e ka pranuar më 21.01.2025”, ka konfirmuar për Telegrafin, Albënora Bekteshi Hoti nga Gjykata Komerciale.

Për këtë vendim,  shqetësime kishte shprehur edhe Ismail Shurdhaj, kryetar i Shoqatës së Distributorëve të Produkteve Farmaceutike dhe Medicinale të Kosovës.

Shurdhaj kishte deklaruar se me vendimin e MSH-së tregu nuk do të mund të furnizohet me produkte farmaceutike, dhe se qytetarët do të detyrohen të dalin jashtë Kosovës për të blerë ato.

“Ne prej fillimit kemi qenë për rregullimin e çmimeve sepse është kërkesë e kamotshme e farmacistëve për unifikimin e çmimeve nëpër barnatore. Duke qenë se Kosova është i vetmi vend pa sigurime shëndetësore, kjo na ka qit në një vështirësi, pasi nuk ka një mekanizëm real edhe të lehtë se si me unifiku çmimet. Realisht MSH ka bërë caktim të marzhës së çmimeve, caktim prej një marzhe jashtëzakonisht të ulët, prej 7.5 përqind, në kohën kur shumica e distributorëve farmaceutik shpenzimet në ATK i kanë në vlerë prej 12 deri 20%. Këto i kanë shpenzime për më mbijetu, pa llogarit marzhën e fitimit”, kishte theksuar ai.

Ndryshe, para një muaji, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia kishte njoftuar se kishte  nënshkruar listën finale për çmimet e unifikuara të barnave.

Vitia këtë e bëri të ditur përmes një postimi në rrjetin social duke shkruar se kjo i hap udhë jetësimit të Ligjit për çmimet e unifikuara të barnave.

“Për herë të parë, barnat do të jenë me çmime të njëjta kudo dhe më të ulta sesa tani. Në disa nga barnat, çmimet janë ulur 5 deri në 10 herë. Ulje të ndjeshme ka në mbi 2900 produkte medicinale”, kishte njoftuar ministri.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat