back to top
17.5 C
Tirana
E martë, 31 Mars, 2026
spot_img
KreuDrejtësiaVetingu i zhveshi të gjithë/ Drejtësia pa njerëz, çështjet zvarriten

Vetingu i zhveshi të gjithë/ Drejtësia pa njerëz, çështjet zvarriten

Instituti i Studimeve Politike ka publikuar një raport të detajuar mbi ecurinë dhe efektet e procesit të vetingut në sistemin e drejtësisë, duke evidentuar si arritjet, ashtu edhe sfidat që kanë shoqëruar këtë reformë kyçe.

Sipas raportit, procesi i rivlerësimit kalimtar ka hyrë tashmë në një fazë përmbyllëse. Të dhënat zyrtare tregojnë se Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) ka trajtuar 442 çështje, ka dhënë 414 vendime dhe vetëm një numër i kufizuar dosjesh mbetet ende në shqyrtim. Ky bilanc konfirmon se sistemi i drejtësisë ka kaluar përmes një filtri pothuajse të plotë institucional.

Raporti thekson se, në aspektin e llogaridhënies, pothuajse çdo zyrtar i nivelit të lartë në drejtësi është përballur me një proces të detajuar verifikimi, i cili ka përcaktuar vijimin ose jo të karrierës së tyre.

Nga mungesa e kontrollit te filtrimi i thellë

ISP rikujton se para vitit 2016, sistemi i drejtësisë në Shqipëri karakterizohej nga mungesë e theksuar e kontrollit efektiv mbi pasurinë dhe integritetin e zyrtarëve. Edhe pse ekzistonin deklarime formale, ato shpesh nuk verifikoheshin në mënyrë të thelluar, ndërsa mekanizmat disiplinorë rezultonin të dobët.

Në këtë kontekst, vetingu u shndërrua në një instrument kyç për të zbuluar realitetin e sistemit. Gjetjet e procesit treguan se problemet nuk ishin të izoluara, por kishin karakter të përhapur dhe të përsëritur.

Një pjesë e konsiderueshme e zyrtarëve të rivlerësuar nuk arriti të justifikojë pasurinë, duke nxjerrë në pah probleme serioze me integritetin financiar. Paralelisht, u evidentuan mangësi edhe në figurë dhe profesionalizëm, përfshirë performancën dhe respektimin e standardeve etike.

Shkarkime, dorëheqje dhe pak konfirmime

Pasojat e vetingut u reflektuan drejtpërdrejt në përbërjen e sistemit të drejtësisë. Përmes vendimeve të Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) dhe KPA, një numër i konsiderueshëm gjyqtarësh dhe prokurorësh u shkarkuan nga detyra.

Raporti evidenton se krahas shkarkimeve, një pjesë e zyrtarëve zgjodhi të largohej vetë nga sistemi për të shmangur procesin ose pasojat e tij, ndërsa vetëm një numër i kufizuar u konfirmua në detyrë.

Efektet anësore: Boshllëqe dhe ngarkesë në sistem

Megjithatë, raporti nënvizon edhe efektet anësore të reformës. Një nga më të dukshmet lidhet me dobësimin e kapaciteteve njerëzore në sistemin e drejtësisë.

Largimi i një numri të madh gjyqtarësh dhe prokurorësh ka krijuar boshllëqe të menjëhershme, duke rritur ndjeshëm ngarkesën për ata që kanë mbetur në detyrë. Kjo situatë është reflektuar në zgjatjen e afateve për shqyrtimin e çështjeve dhe në vështirësi për ruajtjen e efikasitetit në vendimmarrje.

Sipas të dhënave të raportit, në disa nivele të sistemit kjo ka ndikuar edhe në cilësinë e shërbimit ndaj qytetarëve, duke treguar se rritja e integritetit është shoqëruar me një kosto të përkohshme funksionale.

Sfida financiare dhe infrastrukturore

Një tjetër problematikë e evidentuar lidhet me burimet financiare dhe infrastrukturën. Sistemi i drejtësisë ka operuar shpesh me fonde më të ulëta se nevojat reale dhe me realizim të pjesshëm të buxhetit të planifikuar.

Kjo ka kufizuar aftësinë e institucioneve për të përballuar volumet e shtuara të punës, për të investuar në teknologji dhe për të përmirësuar kushtet e punës.

Balanca e reformës

Në përfundim, raporti i Institutit të Studimeve Politike vlerëson se vetingu ka arritur të rrisë ndjeshëm standardet e integritetit dhe llogaridhënies në sistemin e drejtësisë, duke kryer një filtrimin të gjerë të zyrtarëve.

Megjithatë, ai thekson se për të konsoliduar rezultatet e reformës, mbetet e domosdoshme adresimi i boshllëqeve në burime njerëzore, financiare dhe infrastrukturore, në mënyrë që sistemi të funksionojë me efikasitet dhe në përputhje me standardet e reja të vendosura.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat